BALLKANI

Mbyllet aeroporti i Beogradit për shkak të stuhisë së fortë

Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut shkaktuan dëme në të gjithë kryeqytetin serb

Mustafa Talha Öztürk  | 08.07.2025 - Përdıtësım : 08.07.2025
Mbyllet aeroporti i Beogradit për shkak të stuhisë së fortë

Beograd

Aeroporti "Nikola Tesla" i Beogradit u mbyll të martën për shkak të një stuhie të fortë që solli erëra të forta dhe reshje të dendura shiu në kryeqytetin e Serbisë, duke detyruar devijimin e fluturimeve hyrëse dhe duke shkaktuar dëme në të gjithë qytetin, raporton Anadolu.

Administrata e aeroportit njoftoi se fluturimet janë pezulluar përkohësisht dhe u bëri thirrje pasagjerëve të ndjekin informacionet nga linjat ajrore dhe faqen zyrtare të internetit të aeroportit.

Sipas mediave lokale, disa fluturime u devijuan në aeroporte alternative, përfshirë ato në Nish dhe Budapest. Stuhia që goditi Beogradin shkaktoi dëme të shumta në disa pjesë të qytetit, me raportime për pemë të rrëzuara, çati të dëmtuara dhe rrugë të përmbytura.

Shërbimet e emergjencës janë të angazhuara në heqjen e pemëve të rrëzuara dhe riparimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike. Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë më herët gjatë ditës lëshoi alarm të kuq për Beogradin dhe pjesë të Serbisë qendrore dhe veriore, duke paralajmëruar për stuhi, reshje të rrëmbyeshme shiu, breshër dhe erëra të forta.

Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe të shmangin udhëtimet gjatë stuhisë, ndërsa erërat e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Aktualisht nuk ka raportime për të lënduar në aeroport ose në qytet ndërsa vlerësimet e dëmeve janë duke vazhduar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın