Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut
1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit

Shkup
Në Maqedoninë e Veriut është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet lokale të teta, ku qytetarët që nga ora 7 e mëngjesit kishin mundësinë e shfrytëzimit të së drejtës së votës në gjithsej 3.480 qendra votimi në mbarë vendin, raporton Anadolu.
Të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.
Të dhënat e fundit të komisionit zgjedhor tregojnë se jehona e votuesve deri në ora 17:00 ishte 39,85 për qind.
Pjesëmarrje më e lartë deri në këtë kohë është shënuar në komunën Novaci me 65,75 për qind, e ndjekur nga Çashka me 65,5 për qind, Vevçani me 61,84 për qind dhe Krusheva me 60,94 për qind, ndërsa pjesëmarrja më e ulët është shënuar në komunën Qendër Zhupa me 19,15 për qind, e ndjekur nga Vrapçishti me 20,94 për qind, Mavrovë dhe Rostushë me 25,89 për qind dhe Gostivari me 28,02 për qind.
Dje, një ditë para zgjedhjeve, votuan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, personat e sëmurë dhe të pafuqishëm dhe personat në azile pleqsh.
Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve, ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë. Ndryshe, në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.
KSHZ-ja duhet të shpallë rezultatet fillestare të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit brenda 12 orëve pas mbylljes së procesit.
Për monitorimin e zgjedhjeve, KSHZ-ja kishte akredituar 697 vëzhgues vendor dhe 639 vëzhgues të huaj.
Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku asnjë kandidat nuk arrin shumicën e nevojshme në raundin e parë.
Gjatë fushatës 20-ditore, që nisi më 29 shtator dhe përfundoi në mesnatën e 17 tetorit, partitë politike dhe kandidatët e pavarur kanë zhvilluar tubime e takime me qytetarët, duke premtuar përmirësim të infrastrukturës, shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Këto janë zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.