BALLKANI

Mbledhje përkujtimore në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë

- Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi se viktimat e Srebrenicës do të mbeten përgjithmonë në kujtesën dhe në ndërgjegjen e njerëzimit

Dzihat Aliju  | 09.07.2025 - Përdıtësım : 10.07.2025
Mbledhje përkujtimore në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, është mbajtur mbledhje përkujtimore në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.

Në mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve, të organizatave joqeveritare dhe të komunitetit boshnjak në vend, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të ftuar të tjerë.

Kryetari Gashi, në fjalimin e tij në mbledhje duke theksuar se ka nderin e veçantë, por edhe përgjegjësinë e rëndë që të drejtohet në këtë ngjarje tha se sot, edhe tridhjetë vjet më vonë, e ndjejnë se as gjaku nuk është tharë, as lotët nuk kanë reshtur e as dhimbja nuk është tretur.

"Тë flasësh për Srebrenicën nuk është aspak e lehtë. Çdo fjalë, çdo mesazh, çdo frazë që mund ta them sigurisht është më e zbrazët e më e dobët, por edhe e pamjaftueshme për të përshkruar thellësinë e dhimbjes që është përjetuar më 9 deri 11 korrik të vitit 1995 në Bosnjë", u shpreh ai.

Duke theksuar se viktimat e Srebrenicës do të mbeten përgjithmonë në kujtesën dhe në ndërgjegjen e njerëzimit, Gashi tha: "Dhe, për fat të keq, Srebrenica nuk është e fundit. Një Srebrenicë tjetër, madje me përmasa shumë më të mëdha, po ndodh sot në Gaza, ku një popull është ekspozuar në zhdukje fizike dhe po vdes jo vetëm nga plumbat e granatat, por edhe për mungesë të bukës."

Përfaqësuesja e trupit koordinues për përkujtimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Selma Rizvanoviq Mandal, duke folur për rëndësinë e shënimit të kësaj dite çdo vit, tha: "Ne jetojmë sot në një kohë revizionizmi dhe mohimi intensiv të gjenocidit. Edhe festimi i tij dhe i autorëve të tij nuk është një ngjarje spontane, nuk është një e drejtë legjitime e mendimit, lirisë së fjalës. Është një fenomen i organizuar dhe si rezultat kemi një mohim më të fortë sot sesa kishte 20 vjet më parë."


- "Nuk ishin vetëm burra dhe djem, u vranë edhe gra"

Përfaqësuesi i Unionit Kombëtar Boshnjak, Xhevad Hot duke cilësuar gjenocidin në Srebrenicë si tragjedi që përgjithmonë e ndryshoi historinë e rajonit, Evropës por edhe gjithë botës, tha se: "Nuk ishin vetëm burra dhe djem, u vranë edhe gra."

Drejtor i Institutit për Kërkime të Krimit në Sarajevë, Prof. Dr. Muamer Xhananoviq, gjithashtu tha se përkujtimi dhe kujtimi i gjenocidit në këtë shtëpi dërgojnë një mesazh të fortë se viktimat nuk janë vetëm, se e vërteta ka aleatë dhe se kujtimi i drejtësisë dhe përgjegjësisë nuk janë thjesht kujtime të së kaluarës, por imperativ i kohës sonë dhe themeli i së ardhmes që dëshirojnë të ndërtojnë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 4 shkurt 2010 miratoi një deklaratë në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian për Srebrenicën, ndërsa nga ajo datë çdo 11 korrik shënohet si "Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë" në vend.

Më 11 korrik të këtij viti shënohet 30-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj myslimanë boshnjakë u vranë në Srebrenicë pasi forcat serbe sulmuan "zonën e sigurt" të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın