BALLKANI

Mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut të evidentuar për evakuim nga Lindja e Mesme, fillon kthimi drejt Shkupit

MPJTJ përmes një njoftimi publikoi numrin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Lindja e Mesme

Dzihat Aliju  | 05.03.2026 - Përdıtësım : 05.03.2026
Mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut të evidentuar për evakuim nga Lindja e Mesme, fillon kthimi drejt Shkupit

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut (MPJTJ) njoftoi se mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evidentuar për evakuim nga Lindja e Mesme, transmeton Anadolu.

MPJTJ përmes një njoftimi publikoi numrin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Lindja e Mesme.

"Në kuadër të procesit të evakuimit, në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi janë evidentuar 505 shtetas të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve 458 qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtesë, 31 persona janë paraqitur nga Kuvajti ndërsa 14 persona nga Bahreini. Në Doha, deri më sot, janë evidentuar 141 shtetas të Maqedonisë së Veriut", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, personat që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Izraeli pritet që në orët e pasdites me avionin qeveritar të nisen drejt Shkupit.

"Në ditët në vijim pritet të fillojë realizimi i kthimit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe të qytetarëve që ndodhen në Katar, Bahrein dhe Kuvajt, për të cilët është paraparë kthimi me fluturime të organizuara përmes Mbretërisë së Arabisë Saudite", përcjell Ministria.

MPJTJ rikujtoi se procesi i evakuimit realizohet sipas një plani tashmë të përpunuar, në përputhje me kushtet e sigurisë dhe në koordinim me institucionet kompetente.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.