Mbetet në fuqi masa "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta
- Në një njoftim nga GJPAKKO-ja thuhet se kjo gjykatë ka vendosur në seancën e sotme miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ndaj Metës

Tiranë
TIRANË (AA) - Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga GJPAKKO-ja thuhet se kjo gjykatë ka vendosur në seancën e sotme miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ndaj Metës.
Kujtojmë se më 26 qershor 2025, GJKKO-ja kishte lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin Meta, vendim i cili ishte dërguar në apel.
Sipas gjykatës, kundër vendimit të sotëm lejohet ankim në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat pas seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se i ka kërkuar gjykatës të caktonte një masë që e mendonte të arsyeshme, sipas tij qoftë edhe masën “arrest në shtëpi”
- Çështja ndaj ish-presidentit Meta
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në SHBA".
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
- Karriera politike e Metës
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës nëntor 1999 - shkurt 2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Nga shtatori 2013 deri në prill 2017, ai ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në periudhën korrik 2017 - korrik 2022, Meta ka qenë president i Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, Meta ka mbajtur dhe disa poste ministrore në disa qeveri të Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.