Politikë, BALLKANI

Mbahet takimi i liderëve të partive politike në Maqedoninë e Veriut

Takimi, i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, pati në agjendë disa tema, si shfuqizimi i qeverisë teknike, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe agjenda e reformave

Shpetim Hiseni  | 14.01.2026 - Përdıtësım : 14.01.2026
Mbahet takimi i liderëve të partive politike në Maqedoninë e Veriut Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt takim i liderëve të partive politike parlamentare lidhur me disa pika, me fokus në shfuqizimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve parlamentare, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe agjenda e reformave, raporton Anadolu.

Në konferencën për media pas takimit, kryeministri dhe lideri i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, e cilësoi takimin si konstruktiv dhe tha se në përgjithësi të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar se qeveria teknike duhet të jetë pjesë e së kaluarës, ndërkohë që ka pasur kërkesë që për një hap të tillë të konsultohet edhe faktori ndërkombëtar.

Ai po ashtu tha se ka gjetur mbështetje nga të gjithë përfaqësuesit për ndryshimet në Ligjin e Shkeljeve për zbatimin “Safe City”, një masë që përfshin aktivizimin e kamerave dhe radarëve në rrugë që, sipas qeverisë, ka për qëllim rritjen e sigurisë në trafik.

“Opinioni sot dëshmoi një qasje ndryshe - një debat të hapur, konstruktiv plot propozime dhe ide. U ngritën shumë pyetje. Propozova që debati të vazhdojë në nivel të grupeve parlamentare sepse ne jemi për tejkalimin e problemeve, jo për krijimin e të rejave”, theksoi Mickoski.

Ndërkaq, përfaqësuesi i koalicionit qeveritar VLEN, Bilall Kasami, tha se qëndrimi i tyre ka qenë që nëse aktualisht nuk ka konsensus, qeveria teknike të shfuqizohet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Lidhur me ndryshimin në Kodin Zgjedhor, ai tha se duhet të ofrohet mundësia për votim të diasporës, pasi, sipas tij, është aktor i rëndësishëm, veçanërisht në sferën ekonomike.

Ai po ashtu theksoi nevojën që të zbatohet sistemi me lista të hapura në zgjedhje, pavarësisht se për sa njësi zgjedhore vendoset.

Goran Minçev, sekretar i përgjithshëm i partisë ZNAM dhe njëherësh ministër i Administratës Publike, tha se qeveria teknike duhet të hiqet pasi ka përmbushur qëllimin e saj, duke shtuar se ajo u soll në një kohë krizash kur një masë e tillë ishte e nevojshme dhe aktualisht nuk kontribuon në stabilitet, por frenon efikasitetin e qeverisë.

Minçev kërkoi zbatimin e një njësie të vetme zgjedhore për, siç tha ai, përfaqësim më të drejtë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se tema e anëtarësimit të vendit në BE ka mbetur ende e pakonsumuar, ndërsa shtoi që të gjithë aktorët duhet të jenë të angazhuar në këtë drejtim.

Ai kërkoi konsultim me aktorët ndërkombëtarë për shfuqizimin e qeverisë teknike, pasi një masë e tillë ishte sjellë po ashtu në konsultim me ta.

Lidhur me kodin zgjedhor, Ahmeti propozoi një njësi të vetme zgjedhore me lista të hapura dhe me prag prej 5 për qind, duke shtuar se kjo çështje mbetet për diskutime të mëtejme.

Dimitar Apasiev nga partia “Levica” (E Majta) tha se diskutimet për kodin zgjedhor do të vazhdojnë në nivel koordinatorësh të grupeve parlamentare, së bashku me disa ministra të qeverisë.

Ai tha se është diskutuar për dy variante të shfuqizimit të qeverisë teknike, njëri për zgjedhet e ardhshme parlamentare dhe tjetri pas këtyre.

Në takim mungoi kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe.

Ndryshe, qeveria teknike në Maqedoninë e Veriut u vendos si masë e përkohshme politike pas Marrëveshjes së Përzhinos të vitit 2015, e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të kapërcyer krizën e thellë politike në vend.

Qëllimi i saj ishte të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke kufizuar ndikimin e qeverisë në pushtet gjatë fushatës zgjedhore. Sipas marrëveshjes, një qeveri teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, ku disa poste kyçe u kalojnë përfaqësuesve të opozitës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın