BALLKANI

Mbahet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u shpreh se Kuvendi do të vijojë të udhëheqë procesin e integrimit, duke synuar sipas tij garantimin e legjitimitetit demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit

Fatjon Cuka  | 28.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
Mbahet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Tiranë ka filluar takimi dyditor i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian (BE), me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të BE-së, raporton Anadolu.

Takimi u hap me fjalët e bashkëkryetarëve të komitetit, Taulant Balla, kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Marco Tarquinio, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në fjalën e tij u shpreh se Kuvendi do të vijojë të udhëheqë procesin e integrimit, duke synuar sipas tij garantimin e legjitimitetit demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit.

"Për mëse një dekadë, anëtarët e Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë janë mbledhur në këtë forum për të diskutuar dhe vlerësuar zhvillimet në lidhje me procesin e reformave të Shqipërisë. Shqipëria gjendet sot në një pozitë shumë të fortë, pasi ka hapur negociatat për pesë grup kapituj dhe po përgatitet për të hapur negociatat për grup kapitullin e fundit", tha ai.

Ai shtoi se rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian është një vizion që i kapërcen dallimet politike, sipas tij, "të bashkuar në bindjen se integrimi evropian është rruga më e mirë dhe e vetme për ne shqiptarët për të ecur përpara për mirëqenien, sigurinë dhe stabilitetin e vendit".

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, theksoi se mbeten 100 për qind në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

"Integrimi evropian është zgjedhje sepse për ne i ka rrënjët tek vlerat dhe vizioni ynë. Pra, të bëhemi shtet anëtar në BE është zgjedhje sepse në këtë zgjedhje ne udhëhiqemi nga angazhimi ynë për demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe solidaritetin", tha ajo.

Spiropali u shpreh se mesazhi nga qytetarët shqiptarë ka qenë shumë i qartë që prej fillimit të demokracisë në vend, sipas saj, që e ardhmja e vetme është brenda BE-së.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Takimi ka në fokus çështjet mbi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, politikën e jashtme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe progresin dhe sfidat në sektorin e ekonomisë, energjisë, mjedisit dhe turizmit në Shqipëri.

Detyrat e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri janë shqyrtimi i të gjitha aspekteve të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.