Mbahet konferencë shkencore mbi dimensionin historik të kufijve të Kosovës
Studiues të fushës së historisë po prezantojnë kumtesa mbi zhvillimin, përkufizimin dhe transformimet e kufijve të Dardanisë dhe Kosovës gjatë periudhave të ndryshme historike – nga antikiteti, periudha romake, mesjeta, e deri te zhvillimet moderne.
Prishtinë
Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, po zhvillohet konferenca shkencore “Dimensioni historik i kufijve të Kosovës nga antika deri në kohë bashkëkohore”, e organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, raporton Anadolu.
Në sesionin e parë, studiues të fushës së historisë po prezantojnë kumtesa mbi zhvillimin, përkufizimin dhe transformimet e kufijve të Dardanisë dhe Kosovës gjatë periudhave të ndryshme historike – nga antikiteti, periudha romake, mesjeta, e deri te zhvillimet moderne.
Ndër referimet kryesore janë ato të Arbër Hadrit për dimensionin historik të kufijve bashkëkohorë të Kosovës, Emine Hajdarit për dëshmitë antike mbi kufijtë e Dardanisë, si dhe kumtesa të tjera që trajtojnë proceset politike, administrative dhe gjeografike që kanë ndikuar në formësimin e kufijve në rajon.
Historiani Abër Hadri tha se punimet e konferencës vendosin në qendër të debatit shkencor evolucionin historik dhe kulturor të Kosovës nga Dardania antike si bërthama e hershme.
“Hapësira e Kosovës së sotme, Dardanisë antike, përfaqëson një truall ku ndërthuren shtresimet ilire, formimet arbërore dhe vetëdija shqiptare moderne”, tha Hadri.
Emine Hajdari, e cila foli për dëshmitë antike mbi kufijtë e Dardanisë, tha se ajo pozicionohej qartë brenda hapësirës së Ilirisë dhe më saktë në zonën kontinentale të saj.
Hajdari thotë se ky pozicionim është në përputhje me të dhënat e burimeve tjera antike.
“Dëshmitë që vijnë nga autorë të ndryshëm të cilët ndërthurin elemente mitologjike etnografike dhe gjeografike, ofrojnë një tablo të pasur, por shpesh të paqëndrueshme dhe kontradiktore mbi kufijtë dhe mënyrën se si perceptohej Dardania në periudha të ndryshme historike, duke pasur parasysh ndikimet politike, kulturore dhe ideologjike të Kosovës. Në këtë kuptim, gjurmët më të hershme të përfytyrimeve mbi Dardaninë, lidhen ngushtë me mitologjinë greke”, tha Hajdari.
Konferenca vazhdon me sesionet e tjera gjatë ditës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
