BALLKANI

Mbahet konferenca për 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe angazhimin i Shqipërisë me OSBE-në

Kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, nënvizoi partneritetin e gjatë të Shqipërisë me OSBE-në dhe rolin e organizatës në mbështetjen e tranzicionit demokratik dhe agjendës së reformave të vendit

Fatjon Cuka  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Mbahet konferenca për 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe angazhimin i Shqipërisë me OSBE-në Burimi: MEPJ e Shqipërisë

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur konferenca e nivelit të lartë me temë “Transformimi dhe angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në: Nga Akti Final i Helsinkit deri më sot”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qeveritare shqiptare, të ambasadorëve dhe të shoqërisë civile, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, thuhet se kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë fjalës në hapje të konferencës nënvizoi partneritetin e gjatë të Shqipërisë me OSBE-në dhe rolin e organizatës në mbështetjen e tranzicionit demokratik dhe agjendës së reformave të vendit.

“Do të doja të përgëzoja Kryesinë Finlandeze për fokusin e saj në të ardhmen e OSBE-së përmes iniciativës Helsinki+50. Mbi të gjitha, kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e një përvjetori. Objektivi është të formësohet një OSBE që mund t’u përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ekziston një mundësi për ne që të japim një kontribut të rëndësishëm në procesin e ripërtëritjes", është shprehur Spiropali.

Ambasadorja Terhi Hakala, e dërguara speciale i kryetarit të radhës të OSBE-së, sipas njoftimit, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të parimeve të Helsinkit dhe qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, "një qasje që e njeh paqen si të pandashme nga të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe dialogu midis shteteve".

“Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e familjes së OSBE-së që nga tranzicioni i saj demokratik dhe ka pritur një operacion aktiv në terren që nga viti 1997. Bashkëpunimi i ngushtë midis Prezencës dhe autoriteteve shqiptare dhe aktorëve të shoqërisë civile ka kontribuar me sukses në qëllimet strategjike të Shqipërisë dhe në agjendën e reformave të sotme”, ka theksuar Hakala.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, foli për bashkëpunimin midis Misionit të OSBE-së në Shqipëri dhe institucioneve shqiptare, në fushat e avancimit të qeverisjes demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Sipas njoftimit, folësit nënvizuan mësimet e nxjerra nga angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në dhe vunë re evolucionin e reformave në fusha të tilla si proceset zgjedhore, përpjekjet kundër trafikimit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe qeverisja e mirë.

Konferenca është organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Misioni i OSBE-së në Shqipëri, dhe, sipas autoriteteve shqiptare, shënoi një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë me OSBE-në dhe parimet e qëndrueshme të Aktit Final të Helsinkit.

Këtë vit shënohet 50-vjetori i Aktit Final të Helsinkit, që u nënshkrua në vitin 1975, që shënon një dokument të rëndësishëm për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın