Mbahet konferenca për 100–vjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij e vlerësoi Bankën e Shqipërisë si një institucion të konsoliduar me standarde, që sipas tij ka përballuar shumë sfida
Tiranë
Në Tiranë është mbajtur konferenca kushtuar 100–vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Shqipërisë me temë: "Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale", raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, drejtues të bankave qendrore nga disa vende dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij e vlerësoi Bankën e Shqipërisë si një institucion të konsoliduar me standarde, që sipas tij ka përballuar shumë sfida.
"Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plotë gojën – institucion, në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes evropiane", tha ai.
Kryeministri Rama u shpreh se Banka e Shqipërisë hyn në shekullin e saj të dytë dhe gjendet në një hartë krejt të re nga harta ku ajo u vendos në fillim të shekullit të saj të parë.
"Pas pandemisë globale, luftës në Evropë, dallgëve inflacioniste, sot jemi të gjithë të vetëdijshëm se politika monetare nuk matet më vetëm me normën bazë, por matet detyrimisht, edhe me pritshmëritë. Dhe sot normalizimi do të thotë shumë më tepër sesa përdorimi i mekanizmit të normës bazë, pasi do të thotë edhe transparencë, edhe kreativitet, edhe kurajë, hap pas hapi, me vigjilencë dhe pa panik nga befasitë gjithmonë e më të pranishme në jetën e përditshme të vendeve dhe të fshatit tonë global", u shpreh Rama.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në ceremoninë e hapjes së konferencës u shpreh se kjo është një konferencë e veçantë pasi zhvillohet në përvjetorin e njëqindtë të Bankës së Shqipërisë.
"Në opinionin tim, çdo jubile duhet t'i shërbejë një qëllimi të dyfishtë. Ai është një moment vlerësimi i punës së një institucioni, si dhe një moment kremtimi i përpjekjeve të të gjithë punonjësve që kanë kontribuuar në zhvillimin e tij. Në të njëjtën kohë, çdo jubile duhet të shërbejë edhe si moment vështrimi kritik mbi atë çka kemi arritur, atë çka ka bërë të mundur këto arritje, si dhe sfidat dhe oportunitetet e zhvillimit që kemi përpara", tha Sejko.
Konferencës iu drejtuan me video-mesazh edhe drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva dhe presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Konferenca ka mbledhur së bashku guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademikë të fushës, për të diskutuar sipas Bankës së Shqipërisë mbi sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vogla me kushte të reja gjeopolitike dhe zhvillime të shpejta në fushën e inovacionit financiar.
Në fokus të saj do të jenë, ndër të tjera, reagimet strategjike ndaj një sistemi tregtar global më pak të hapur, sfidat e politikës monetare, mundësitë dhe rreziqet që sjellin financat digjitale, si dhe roli në ndryshim i Eurozonës dhe i rajonit të Evropës Juglindore në një rend ekonomik shumëpolar.
Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua në shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare shqiptare.
