Marrëveshja Shqipëri-Itali, mbërrin në Shëngjin një grup tjetër i emigrantëve
Një anije e rojës bregdetare italiane është ankoruar në Portin e Shëngjinit sot në orës e pasdites, duke sjellë 15 emigrantë të cilëve u është refuzuar azili në Itali

Tiranë
Në Shqipëri ka mbërritur një grup tjetër emigrantësh të paligjshëm, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, transmeton Anadolu.
Raportohet se një anije e rojës bregdetare italiane është ankoruar në Portin e Shëngjinit sot në orët e pasdites, duke sjellë 15 emigrantë të cilëve u është refuzuar azili në Itali.
Gjithashtu theksohet se pas procedurave në qendrën pritëse në port, emigrantët do të transferohen në kampin e Gjadrit, në Qarkun e Lezhës, ndërkohë nuk është bërë e ditur kombësia e tyre.
Në muajit e fundit në Shqipëri kanë mbërritur dhjetëra emigrantë, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve dhe pas riaktivizimit të saj.
Disa grupe emigrantësh që u ndaluan në det dhe që mbërritën më parë në kampet në Qarkun e Lezhës, u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të gjykatave italiane.
Marrëveshja mes dy vendeve u riaktivizua pas një dekreti të qeverisë italiane, që lejon transferimin në qendrat në Shqipëri, jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të emigrantëve të parregullt, ndaj të cilëve është vendosur për dëbimin e tyre.
- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.