BALLKANI

Maqedonia e Veriut u bën thirrje shtetasve të saj të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në Lindjen e Mesme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme deklaroi se me vëmendje dhe shqetësim po i ndjek zhvillimet në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar

Dzihat Aliju  | 02.03.2026 - Përdıtësım : 02.03.2026
Maqedonia e Veriut u bën thirrje shtetasve të saj të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në Lindjen e Mesme

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut edhe një herë u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, transmeton Anadolu.

Ministria në një njoftim deklaroi se me vëmendje dhe shqetësim po i ndjek zhvillimet në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.

"Duke pasur parasysh përpjekjet e dukshme të Iranit për të shënjestruar, përveç Izraelit, edhe disa shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Libanin dhe Irakun, si dhe bazën ushtarake britanike në territorin e Administratës së Qipros Jugore Greke, Ministria edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme", thuhet në njoftim.

"Dënojmë pa mëdyshje të gjitha sulmet ndaj miqve dhe partnerëve tanë. Shkelja e sovranitetit dhe shënjestrimi i objektivave civile janë të papranueshme dhe janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Paqja, siguria dhe stabiliteti i Lindjes së Mesme nuk janë kategori abstrakte, por parakushte thelbësore për stabilitetin global", njoftoi Ministria.

Sipas njoftimit, prioritet i Qeverisë mbetet siguria dhe mbështetja e shtetasve maqedonas që mbi baza të ndryshme ndodhen në rajon dhe se gjatë periudhës së kaluar, përfaqësitë diplomatiko-konsullore kompetente janë në komunikim të vazhdueshëm me ta.

​​​​​​​"Ministria, në koordinim me përfaqësitë diplomatiko-konsullore, po shqyrton disa skenarë të mundshëm për riatdhesim dhe evakuim, të cilët do të aktivizohen kur ta lejojnë kushtet në terren dhe/ose pas rivendosjes së trafikut ajror", thuhet në njoftim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın