BALLKANI

Maqedonia e Veriut prezanton pullën postare për 100-vjetorin e lindjes së Alija Izetbegoviqit

"Mendimi i Izetbegoviqit se çdo njeri ka të drejtë të jetojë në liri dhe se kjo liri është burim i të gjitha vlerave të tjera universale të njerëzimit, akoma është gjallë", tha Kurtishi

Abdulbesar Ademi  | 26.12.2025 - Përdıtësım : 26.12.2025
Maqedonia e Veriut prezanton pullën postare për 100-vjetorin e lindjes së Alija Izetbegoviqit Foto: Dzihat Aliju / AA

Shkup

Maqedonia e Veriut ka prezantuar një pullë postare përkujtimore kushtuar 100-vjetorit të lindjes së presidentit të parë të Bosnjë e Hercegovinës, Alija Izetbegoviqit, duke nderuar trashëgiminë dhe mendimin e liderit të ndjerë, transmeton Anadolu.

Drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Orhan Kurtishi i cili përmes një ceremonie promovoi pullën postare, u shpreh mirënjohës për prezantimin e saj kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Izetbegoviqit.

"Mendimi i Izetbegoviqit se çdo njeri ka të drejtë të jetojë në liri dhe se kjo liri është burim i të gjitha vlerave të tjera universale të njerëzimit, akoma është gjallë", tha Kurtishi.

Pulla postare përkujtimore 100-vjet nga lindja e Alija Izetbegoviqit 1925–2003 është dizajnuar nga Loran Kufalo nga Byroja e Filatelisë. Ajo ka vlerë nominale prej 36 denarësh dhe është lëshuar në një tirazh prej 6 mijë kopjesh.

Kurtishi u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin këtë pullë gjatë sezonit të festave, duke theksuar se dërgimi i kartolinave të Vitit të Ri me këtë pullë përbën kontribut në përhapjen e ideve të Izetbegoviqit për liri dhe barazi.

Alija Izetbegoviq ishte presidenti i parë i shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë e Hercegovinës dhe konsiderohet gjerësisht si një figurë kyçe intelektuale dhe politike në historinë moderne të vendit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.