BALLKANI

Maqedonia e Veriut e konsideron të rëndësishme mbështetjen e Hungarisë në procesin e anëtarësimit në BE

- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski u takua sot në Shkup me homologun e tij hungarez Peter Szijjarto.

Aida Cako  | 13.06.2025 - Përdıtësım : 13.06.2025
Maqedonia e Veriut e konsideron të rëndësishme mbështetjen e Hungarisë në procesin e anëtarësimit në BE

Shkup

SHKUP (АА) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski deklaroi se mbështetja e vazhdueshme e Hungarisë për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut është e rëndësishme, raporton Anadolu.

Mucunski u takua me ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjarto në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Pas takimit dypalësh midis dy ministrave u mbajt një konferencë për media.

Mucunski tha se në takimin e sotëm është diskutuar thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve politike dhe ekonomike si dhe mbështetja e vazhdueshme e Hungarisë për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut.

"Hungaria mbetet një nga mbështetëset më të zëshme dhe të përkushtuara të perspektivës evropiane të të gjithë rajonit. Kjo u vërtetua gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Ne jemi sinqerisht mirënjohës për atë mbështetje parimore dhe të sinqertë, veçanërisht në kontekstin e pritjeve tona për përparim në procesin e anëtarësimit në BE", deklaroi Mucunski.

Ai kujtoi se Hungaria është ndër dhjetë partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit dhe një nga investitorët kryesorë të huaj, gjë që, siç tha ai, përfaqëson më shumë se një bazë të fortë për lidhje të mëtejshme ekonomike.

Ministri i Jashtëm hungarez, Szijjarto, nga ana e tij deklaroi se vendi i tij mbështet fuqimisht integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë dhe ekonomike në Evropë.

"Jetojmë në një kohë rreziqesh, konflikte të armatosura dhe luftëra brenda dhe përreth BE-së. Të gjitha këto sfida rrisin nevojën për zgjerimin e Bashkimit Evropian në drejtim të Ballkanit Perëndimor", tha Szijjarto në konferencën për media në Shkup.

Ai theksoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sillte stabilitet dhe përfitime ekonomike për vetë BE-në dhe se Hungaria e konsideron të papranueshme që disa vende duan anëtarësim të shpejtë ndërsa anëtarësimi i vendeve shumë më të zhvilluara dhe të përgatitura po pengohet dhe po vështirësohet vazhdimisht.

"Hungaria ofron të gjithë mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur. Ne e mbështesim absolutisht Maqedoninë e Veriut në këtë dhe po punojmë për të siguruar që negociatat thelbësore me Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Szijjarto.

Mucunski dhe Szijjarto sot nënshkruan gjithashtu një Marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik midis dy qeverive dhe një Memorandum Mirëkuptimi dhe Zbatimi të programit "Stipendium Hungaricum" për periudhën 2026 - 2028.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın