BALLKANI

Maqedonia e Veriut do të sigurojë fluturime çarter për evakuimin e shtetasve nga zonat e krizës

"E informojmë opinionin se ka nisur procedura e prokurimit publik për organizimin e fluturimeve çarter me qëllim sigurimin e evakuimit të sigurt", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme

Dzihat Aliju  | 04.03.2026 - Përdıtësım : 04.03.2026
Maqedonia e Veriut do të sigurojë fluturime çarter për evakuimin e shtetasve nga zonat e krizës

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të sigurojë fluturime çarter për evakuimin e shtetasve të saj nga zonat e krizës, transmeton Anadolu.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

"Siguria e shtetasve maqedonas është prioriteti më i lartë i Qeverisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme vazhdon të qaset me përgjegjësi, në mënyrë të koordinuar dhe tërësisht në zbatimin e të gjitha aktiviteteve që lidhen me evakuimin e qytetarëve nga zonat e prekura", thuhet në njoftimin e Ministrisë, duke shtuar:

"Në këtë drejtim, e informojmë opinionin se në përputhje me përfundimin e Qeverisë, është nisur procedura e prokurimit publik për organizimin e fluturimeve çarter me qëllim sigurimin e evakuimit të sigurt".

Ministria thekson se duke pasur parasysh urgjencën dhe faktin se situata e sigurisë po ndryshon vazhdimisht, procedura do të zbatohet në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik, me zbatimin e afateve të shkurtuara të parashikuara për situata të tilla.

"Për realizimin e këtij shërbimi janë paraparë mjete në vlerë deri në 60 milionë denarë, të siguruara në Buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Në varësi të numrit përfundimtar të shtetasve maqedonas të paraqitur dhe numrit të fluturimeve çarter që do të realizohen, është e mundur të shfrytëzohet vetëm një pjesë e shumës së paraparë", thuhet në njoftim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.