Maqedonia e Veriut do të hapë Konsullatë të Përgjithshme në Korçë
Konsullata e Përgjithshme do të ketë juridiksion mbi zonat e Korçës, Prespës së Vogël, Pogradecit, Gollobordës dhe Gorës, dhe do të punojë në koordinim të plotë me Ambasadën në Tiranë

Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, njoftoi sot se qeveria në seancën e sotme ka vendosur të hapë një Konsullatë të Përgjithshme në Korçë të Shqipërisë, transmeton Anadolu.
“Ne nuk e tregojmë kujdesin tonë për maqedonasit në Shqipëri me fjalë, por me vepra konkrete. Maqedonasit nga Prespa e Vogël, Pogradeci, Golloborda dhe Gora janë shumë larg nga Tirana, është koha t’u afrohemi atyre”, theksoi ministri Mucunski nëpërmjet një njoftimi me video në rrjetet sociale.
Ai shpjegoi se me këtë vendim, qytetarët maqedonas që jetojnë në këto zona do të kenë qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shërbimet konsullore, si dhe mbështetje për lidhjet kulturore, arsimore dhe ekonomike.
“Ne synojmë një kujdes më të fortë për interesat e qytetarëve tanë. Shërbim i shpejtë, i arritshëm dhe cilësor. Këto janë hapa konkretë, jo fjalë boshe”, theksoi Mucunski.
Konsullata e Përgjithshme do të ketë juridiksion mbi zonat e Korçës, Prespës së Vogël, Pogradecit, Gollobordës dhe Gorës, dhe do të punojë në koordinim të plotë me Ambasadën në Tiranë. Përgjegjësitë e saj kryesore do të përfshijnë ofrimin e shërbimeve konsullore, promovimin ekonomik dhe kulturor, si dhe promovimin e bashkëpunimit dypalësh në rajonin e gjerë, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.