Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e përmbyllin hartën energjetike me linjë 400 kV
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ky interkoneksion strategjik përmbyll lidhjen elektroenergjetike të vendit me fqinjët dhe forcon pozicionin e tij si partner i besueshëm në energjetikën rajonale
Shkup
Sot u zhvillua një ngjarje për sektorin energjetik të Maqedonisë së Veriut me vendosjen e gurthemelit për linjën 400 kV nga trafostacioni “Manastir 2” deri te kufiri Maqedoni e Veriut-Shqipëri, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut, ky interkoneksion strategjik përmbyll lidhjen elektroenergjetike të vendit me fqinjët dhe forcon pozicionin e tij si partner i besueshëm në energjetikën rajonale.
Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe BE-së, si dhe menaxhmenti dhe ekipet e kompanisë MEPSO.
“Sot qëndrojmë para një projekti që shënon të ardhmen e sistemit energjetik të Maqedonisë së Veriut. Me linjën interkonektive 400 kV forcojmë rrjetin e transmetimit, rrisim kapacitetin e transmetimit dhe e konsolidojmë pozicionin tonë në rrjedhat rajonale të energjisë. Ky projekt është një mesazh për investitorët se infrastruktura jonë e transmetimit është e gatshme për ekonominë e së ardhmes dhe tranzicionin e gjelbër”, ka thënë ministrja Bozhinovska.
Në njoftim thuhet se projekti do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, mundëson integrimin e burimeve të ripërtëritshme, nxit investime në sektorin energjetik dhe mbyll degën e vetme të hapur në sistemin kombëtar të transmetimit.
Linja do të shtrihet 97,5 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut mbi 269 shtylla çeliku, përfshin një nënstacion transformatorësh pranë Ohrit dhe një fushë linje në TS “Manastir 2”, me afat realizimi prej 30 muajsh. Projekti mbështetet nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë BERZH-in dhe BE-në, dhe është pjesë kryesore e Korridorit energjetik rajonal 8.
Me këtë interkoneksion, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria forcojnë partneritetin rajonal dhe mundësojnë shkëmbim të qëndrueshëm të energjisë së gjelbër, duke konfirmuar angazhimin strategjik për një të ardhme energjetike moderne dhe të qëndrueshme, thuhet në njoftim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
