BALLKANI

Maqedonia e Veriut dhe Serbia me kontroll të përbashkët kufitar në Tabanoc-Preshevë

- Në ceremoni të pranishëm ishin ministrat e Brendshëm të dy vendeve, Pançe Toshkovski i Maqedonisë së Veriut dhe Ivica Daçiq i Serbisë, të cilët firmosën protokollin.

Shpetim Hiseni  | 04.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
Maqedonia e Veriut dhe Serbia me kontroll të përbashkët kufitar në Tabanoc-Preshevë Foto: Umeys Sulejman / AA

Kumanovë

KUMANOVË (AA) - Me një ceremoni zyrtare të nënshkrimit të protokollit, sot hyri në fuqi sistemi i kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si "One Stop Shop", midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë, raporton Anadolu.

Në ceremoni të pranishëm ishin ministrat e Punëve të Brendshme të dy vendeve, Pançe Toshkovski i Maqedonisë së Veriut dhe Ivica Daçiq i Serbisë, të cilët firmosën protokollin mbi mënyrën e kryerjes së kontrolleve kufitare.

Duke folur në pikën kufitare, Toshkovksi shprehu kënaqësi për vendosjen e një "sistemi ndryshe të kontrollit kufitar" në fillim të sezonit të verës.

"Një kontroll kufitar që duhet të mundësojë kalim më të shpejtë të qytetarëve, më pak pritje dhe një kontroll kufitar që do t'i përmirësojë kushtet në kuadër të kompetencave që kemi si Ministri e Brendshme", tha ai.

Ndërkaq, ministri serb Daçiq u shpreh se ka qenë interes i të dy vendeve thjeshtësimi i procesit të kontrolleve kufitare.

"Thjesht po vendoset i ashtuquajturi 'One Stop Control', edhe atë në dalje të shtetit dhe me këtë mënjanohen pritjet e panevojshme të udhëtareve në dalje", tha Daçiq.

Sipas një njoftimi të mëparshëm zyrtar, sistemi “One Stop” synon transportin më të shpejtë të njerëzve, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi midis dy vendeve.

Paraprakisht, marrëveshja për zbatimin e kontrolleve të përbashkëta u firmos më 9 maj të këtij viti në Beograd nga Daçiq dhe Toshkovski.

Sistemi “One Stop” u zbatua më parë midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në pikën kufitare Bllacë-Han i Elezit dhe planifikohet të zbatohet edhe me Shqipërinë. Siç thotë Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, vendi synon ta zbatojë këtë sistem me të gjitha shtetet fqinje që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.