Maqedonia e Veriut dhe Hungaria do të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë
Ministri Toshkovski zhvilloi një takim me ministrin Pinter, me të cilin shqyrtuan çështje me interes të përbashkët, menaxhimin e flukseve migratore, luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë
Shkup
Maqedonia e Veriut dhe Hungaria do të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, transmeton Anadolu.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Hungarisë, Sandor Pinter, në periudhën nga 14 deri më 16 janar realizoi vizitë bilaterale në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Hungarisë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave konkrete dhe praktikave të mira.
Në kuadër të vizitës, ministri Toshkovski zhvilloi një takim bilateral me ministrin Pinter, në të cilin u shqyrtuan çështje me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në menaxhimin e flukseve migratore, luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë.
Ministri Pinter theksoi kontributin e rëndësishëm dhe konkret që Maqedonia e Veriut jep në parandalimin e migracionit ilegal, duke nënvizuar se roli i policisë maqedonase është thelbësor për sigurinë e Evropës.
"Vëmendje e veçantë iu kushtua përvojave të Hungarisë në vendosjen dhe zbatimin e sistemeve për detektim automatik të shkeljeve në trafik, në kontekstin e implementimit aktual të sistemit 'Qytet i Sigurt' në Maqedoni. Në këtë drejtim, u shkëmbyen mendime lidhur me aspektet praktike, gatishmërinë institucionale, kornizën ligjore dhe efektet nga zbatimi i sistemeve të tilla, me qëllim shfrytëzimin e praktikave më të mira evropiane", theksoi ministri Toshkovski.
Në pjesën që ka të bëjë me luftën kundër trafikimit të drogës, u prezantuan zgjidhjet ligjore dhe institucionale që Hungaria i ka zbatuar në fushën e sanksionimit penal, ndërsa u ndanë përvoja lidhur me ndikimin e një qasjeje më të rreptë dhe më të qartë ndëshkuese në frenimin e rrjeteve të organizuara të narkotikëve dhe forcimin e parandalimit.
- Nënshkruhet deklaratë bashkëpunimi për zbatimin e trajnimeve për zyrtarët policorë
Në kuadër të vizitës u nënshkrua Deklaratë bashkëpunimi për zbatimin e trajnimeve për zyrtarët policorë ndërmjet Qendrës për trajnim të MPB-së dhe Qendrës për edukim dhe trajnim policor të MPB-së së Hungarisë, me ç'rast hapen mundësi për shkëmbim afatgjatë dhe praktik të njohurive dhe përvojave.
Ministri Toshkovski zhvilloi gjithashtu një takim pune me drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve të Hungarisë, Aron Jenei, si dhe me drejtorin e Drejtorisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive, Zoltan Gora.
"Hungaria është mike dhe partnere e dëshmuar e Maqedonisë ndërsa kjo vizitë përfaqëson edhe një hap tjetër drejt forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimit të partneriteteve që kontribuojnë për siguri më të madhe, stabilitet dhe perspektivë evropiane", tha Toshkovski.
