Maqedonia e Veriut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë nënshkruar në Dubai Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet qeverive të dy vendeve për shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit dhe modernizimit të qeverisjes
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, sot në Dubai ka zhvilluar takim bilateral me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, në kuadër të të cilit është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet qeverive të dy vendeve për shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit dhe modernizimit të qeverisjes, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, me këtë memorandum vendoset një kornizë institucionale për bashkëpunim sistematik, i orientuar drejt avancimit të politikave publike, forcimit të kapaciteteve administrative, transformimit digjital dhe zbatimit të modeleve inovative të qeverisjes.
Nënshkrimi i dokumentit hap mundësi të reja për shkëmbim njohurish, ekspertize dhe praktikash të mira, si dhe për realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve qeveritare, thuhet më tej.
Në takim është diskutuar gjithashtu mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte ndërmjet Shkupit dhe EBA-së. Njëkohësisht është bërë një pasqyrë gjithëpërfshirëse e marrëdhënieve bilaterale, ku janë shqyrtuar mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tyre. Theks i veçantë i është kushtuar avancimit të bashkëpunimit politik, forcimit të lidhjeve ekonomike dhe intensifikimit të shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve.
Të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit dhe zhvillimin e iniciativave konkrete që do të kontribuojnë në rritje ekonomike të qëndrueshme, efikasitet institucional dhe bashkëpunim më të thelluar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe EBA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
