Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan tre memorandume në sfera të ndryshme
Në Sofje është mbajtur një seancën plenare ndërqeveritare e bashkë-kryesuar nga kryeministrat e dy vendeve fqinje

Shkup
Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dje dhe sot qëndron në Sofje ku është mbajtur një seancën plenare ndërqeveritare midis qeverive të dy vendeve fqinje, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca është bashkë-kryesuar nga kryeministri Kovaçevski dhe homologu i tij bullgar, Kiril Petkov.
Në konferencën e përbashkët për media, kryeministri bullgar njoftoi se janë nënshkruar tre memorandume në sfera të rëndësishme, siç janë: Bujqësia, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e linjës hekurudhore Shkup-Sofje.
Ai gjithashtu tha se ky është shembull i qasjes së re të qeverive të dy vendeve, duke theksuar se ministri të ndryshme kanë paraqitur nga 10 detyra konkrete dhe afate për realizimin e tyre.
"Më vjen mirë që mund të them se takimi i radhës është vetëm pas një jave dhe ky do të jetë niveli i dinamikës së pritur nga grupet e punës. Gjithashtu dua të theksoj se grupi historik tha se do të ketë të paktën tre takime në katër muajt e ardhshëm, me punë shumë intensive mes takimeve", tha Petkov.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, u shpreh se grupet e ndryshme kanë plane konkrete të aktiviteteve që duhet të realizohen, duke shtuar se në grupe do të përfshihen edhe përfaqësues të odave ekonomike apo institucioneve arsimore.
Ai gjithashtu tha se është biseduar edhe për çështjet e hapura politike, duke shtuar se ka një dinamikë të re edhe në këtë aspekt.
"Unë do të lejoja që proceset të rrjedhin, të punojmë, të bisedojmë me njëri-tjetrin, të rivendosim dhe të ndërtojmë besimin dhe të shkojmë gjithmonë një hap më tej, së bashku", tha Kovaçevski.
Qeveritë e dy vendeve javën e kaluar paralajmëruan dinamikë më intensive për zgjidhjen e çështjeve të hapura gjatë vizitës së delegacionit bullgar të kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov në Shkup.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve. Bullgaria nuk e miraton kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), sepse ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën bullgare.
Kujtojmë se në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Qeveria e koalicionit e ish-kryeministrit bullgar Boyko Borisov i dorëzoi BE-së një dokument ku theksohen kushtet që duhet të përmbushë Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Më vonë, në nëntor 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.