BALLKANI

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me projekte nga sfera e vetëqeverisjes lokale

"Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut mbajnë kontakte aktive në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin, prosperitetin dhe stabilitetin e Evropës Juglindore"

Husamedin Gina  | 20.08.2019 - Përdıtësım : 24.08.2019
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me projekte nga sfera e vetëqeverisjes lokale ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Goran Milevski dhe ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Urbanizmit të Bullgarisë, Petja Avramova sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim mes dy ministrive, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Goran Milevski, në fjalimin e tij para firmosjes së Memorandumit për bashkëpunim tha se marrëveshja parasheh vendosjen e bashkëpunimit në sferën e integrimit evropian dhe evroatlantik dhe se në periudhën e parë programore, së bashku janë realizuar 100 projekte, dhe mbi 95 për qind të shfrytëzimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian.

"Në periudhën e parë programore prej vitit 2014-2020 në disponim për projekte për të dyja vendet janë 19.5 milionë euro, dy milionë më shumë se krahasuar me një vjet më parë. Në kuadër të thirrjes së parë tashmë janë në fazë të realizimit 48 projekte, ndërsa para vetëm një muaji në Sofje u nënshkruan marrëveshjet për financimin e 17 projekteve të reja, në vlerë të përgjithshme prej 7 milionë euro të cilat do të implementohen në 5 komuna të vendit tonë, si dhe në komuna në Bullgari", tha ministri Milevski.

Ai, po ashtu theksoi se qytetarët që jetojnë në të dy anët e kufirit shpesh herë ndajnë probleme të njëjta apo të ngjashme dhe se për ato probleme duhet zgjidhje e përbashkët.

Ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Urbanizimit të Bullgarisë, Petja Avramova, theksoi se firmosja e sotme e memorandumit është tregues i shkëlqyeshëm për bashkëpunim afatgjatë dhe të shkëlqyeshëm mes dy vendeve dhe dy ministrive.

"Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut mbajnë kontakte aktive në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin, prosperitetin dhe stabilitetin e Evropës Juglindore", theksoi Avramova, duke rikujtuar se qëllimi i tyre është që Shkupi dhe Sofja të ndërlidhen me magjistrale të mirë dhe hekurudhë të shpejtë.

Firmosja e memorandumit është në kuadër të implementimit të Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, të nënshkruar mes qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë në gusht të vitit 2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.