BALLKANI

Maqedoni e Veriut, zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në 4 komuna do të mbahen më 11 janar

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë do të mbahen më 11 janar 2026

Dzihat Aliju  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Maqedoni e Veriut, zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në 4 komuna do të mbahen më 11 janar Foto: Kuvendi i Maqedonise së Veriut

Shkup

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë do të mbahen më 11 janar 2026, bën të ditur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.

"Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkrova aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës", thuhet në deklaratën me shkrim të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore.

Kryeparlamentari Gashi u bëri thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm.

"I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave evropiane", thuhet në njoftim.

"Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional", theksohet më tej duke shtuar se Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj proceseve të rregullta demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të vendit.

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u mbajt më 19 tetor, ndërsa më 2 nëntor raundi i dytë.

Në këto 4 komuna nuk u arrit pragu i daljes në raundin e parë dhe sipas Kodit Zgjedhor nisi procedurë e re zgjedhore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.