Maqedoni e Veriut, qeveria përcjell propozim-kornizën negociuese në Kuvend
“Në seancë, qeveria vendosi që propozim-kornizën negociuese t’ia përcjellë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtejshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim
Shkup
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se propozim-korniza negociuese për vendin me Bashkimin Evropian (BE), e paraqitur nga presidenca franceze me BE-në, është përcjellë në Kuvend për shqyrtim dhe konkluzione të mëtejshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të qeverisë, në seancën e sotme të 59-të qeveria ka shqyrtuar informacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për propozim-kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, të paraqitur nga presidenca franceze me BE-në.
“Në seancë, qeveria vendosi që propozim-kornizën negociuese t’ia përcjellë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtejshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, propozimi francez synon zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Më 30 qershor, qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e konstruktuara qartë të palës maqedonase, parasheh një pranim të qartë dhe pa mëdyshje të gjuhës maqedonase, si dhe atë që protokolli me Bullgarinë të mos jetë pjesë e kornizës negociuese.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se me propozimin është gjetur një zgjidhje kompromisi për të dyja palët.
Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.