BALLKANI

Maqedoni e Veriut, parlamenti organizon konferencën për sfidat rajonale në rrugën drejt BE-së

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është mbajtur konferenca e 8-të plenare e Konventës Kombëtare për BE-në me temë "Reformat në anën tjetër të retorikës: Sfidat rajonale në rrugën drejt BE-së"

Abdulbesar Ademi  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Maqedoni e Veriut, parlamenti organizon konferencën për sfidat rajonale në rrugën drejt BE-së Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Shkup

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është mbajtur konferenca e 8-të plenare Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut, me temë "Reformat në anën tjetër të retorikës: Sfidat rajonale në rrugën drejt BE-së", transmeton Anadolu.

Siç njofton Kuvendi i Maqedonisë, konferenca u hap nga koordinatorja kombëtare e Konventës Kombëtare për BE-në në Maqedoninë e Veriut dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane, Mileva Gjurovska, ndërsa para të pranishmëve u adresuan kryeparlamentari Afrim Gashi, kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Venko Filipçe dhe zv/kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski.

Kryeparlamentari Gashi tha se kjo ngjarje është një forum i domosdoshëm për të ngritur shqetësime, për debat të arsyetuar dhe për të gjetur zgjidhje që forcojnë progresin demokratik dhe institucional të vendit. Ai theksoi se integrimi evropian nuk matet nga shpejtësia e veprimeve apo narrativat që ato ndajnë, por nga cilësia e reformave dhe besimi që institucionet gëzojnë tek qytetarët.

"Ndeshja jonë nuk duhet të zhvillohet në retorikë, por në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për interesa të përbashkëta. Tani më shumë se kurrë, përtej llogaritjeve politike, na duhet pjekuri për të ndërtuar shtetin. Kemi detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe brezave të ardhshëm ta ndërtojmë këtë të ardhme me vendosmëri, pjekuri dhe kohezion", tha Gashi.

Gjurovska, nga ana e saj, shprehu mirënjohje për Kuvendin si shembull i një partneri institucional për mbajtjen e kësaj ngjarje, e cila sipas saj, është zëri i publikut ekspert dhe nga e cila duhet të dalin rekomandime sipas standardeve evropiane.

"BE-ja është garanci e stabilitetit dhe sigurisë dhe ndihma e saj mund ta çojë vendin në një drejtim progresiv, por pa përmirësim brenda vendit, gjithçka jashtë vendit do të duket si një disfatë", tha ajo.

Ndërkaq, Filipçe shprehu keqardhje për "raportin e dobët nga Komisioni Evropian për vendin tonë" dhe tha se reformat duhet të vazhdojnë sepse e vetmja rrugë përpara është integrimi evropian.

Zdravkovski, nga ana tjetër, theksoi domosdoshmërinë e rrugës së reformave përmes disiplinës institucionale, me konsensus të gjerë politik dhe ekspertësh.

Konferenca përfshin tre diskutime në panel mbi temat "Ndërtimi i një të ardhmeje evropiane përmes reformave, besimit dhe solidaritetit", "Sundimi i ligjit në anën tjetër të retorikës" dhe "Evropa po ndërtohet në vend: Reforma, konvergjencë dhe divergjencë në rrugën drejt BE-së".

Të pranishëm në këtë aktivitet janë ambasadorë, përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Sllovakia, Kroacia, Polonia, Austria, akademikë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, anëtarë të grupeve të punës të konventës si dhe ekspertë të tjerë të interesuar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.