BALLKANI

Maqedoni e Veriut, numërohen mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e përsëritura lokale në 4 komuna

Valbon Limani (AKI) do të udhëheq komunën e Gostivarit, Isen Shabani (AKI) do të udhëheq komunën e Vrapçishtit, Oner Jakupovski (VMRO-DPMNE) do të udhëheq komunën Mavrovë dhe Rostushë dhe Arijan Ibrahim (TDP) do të udhëheq komunën Qendër Zhupë

Abdulbesar Ademi  | 11.01.2026 - Përdıtësım : 11.01.2026
Maqedoni e Veriut, numërohen mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e përsëritura lokale në 4 komuna Foto: AA/Arkiv

Shkup

Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet e përsëritura lokale në katër komuna të Maqedonisë së Veriut, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) udhëheq në komunat Gostivar dhe Vrapçisht, VMRO-DPMNE-ja udhëheq në komunën Mavrovë dhe Rostushë dhe Partia Demokratike e Turqve (TDP) në komunën Qendër Zhupë, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave të përpunuara nga 91,16 për qind të qendrave të votimit, Valbon Limani (AKI), i cili deri më tani ka siguruar 61,24 për qind të votave, do të udhëheq komunën e Gostivarit, ndërsa Isen Shabani (AKI) me 62,11 për qind të votave do të udhëheq komunën e Vrapçishtit.

Komunën Mavrovë dhe Rostushë do ta udhëheq Oner Jakupovski (VMRO-DPMNE) me 65,32 për qind të votave të siguruara deri më tani, ndërsa Arijan Ibrahim (TDP), i cili ishte i vetmi kandidat në garë, do të udhëheq komunën Qendër Zhupë.

Maqedonia e Veriut sot mbajti zgjedhjet e përsëritura për kryetarët e komunave në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë.

Në Gostivar ishin të regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, në Mavrovë dhe Rostushë 10.575 qytetarë, në Vrapçisht 27.279 qytetarë dhe në Qendër Zhupë 7.562 qytetarë.

Sipas të dhënave të fundit të KSHZ-së, deri në orën 18:30 jehona e votuesve në Gostivar ishte 28,22 për qind, në Vrapçisht 31,76 për qind, në Mavrovë dhe Rostushë 28,04 për qind dhe në Qendër Zhupë 13,8 për qind.

Përsëritja e zgjedhjeve lokale në këto katër komuna erdhi pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 19 tetor, nuk u arrit pragu minimal i daljes së qytetarëve në votim apo një e treta e votuesve të regjistruar.

Sipas Kodit Zgjedhor, nisi procedurë e re zgjedhore për komunat në fjalë dhe u vendos që zgjedhjet e përsëritura të mbahen sot, ku nuk është i nevojshëm të tejkalohet pragu minimal, por vetëm që kandidati fitues të grumbullojë më shumë se gjysmën e votave të qytetarëve që kanë dalë në votim.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 tetor, në Gostivar dalja ishte 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë dhe Rostushë 30,31 për qind dhe në Qendër Zhupë 21,49 për qind.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.