BALLKANI

Maqedoni e Veriut, mbyllet votimi i raundit të parë të zgjedhjeve lokale

Aktualisht pas orës 19 po votojnë vetëm personat që tashmë kanë mbetur në radhë në objektet e votimit

Abdulbesar Ademi   | 17.10.2021
Maqedoni e Veriut, mbyllet votimi i raundit të parë të zgjedhjeve lokale

Shkup

Pak pas orës 19 janë mbyllur qendrat e votimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ku garonin 299 kandidatë për kryetarë komunash dhe 572 lista me gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë komunal, raporton Anadolu Agency (AA).

Raundi i parë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoninë e Veriut u realizua në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit duke filluar nga ora 07 e mëngjesit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1.824.864 qytetarë në gjithsej 3.480 vendvotime në të gjithë vendin, ndërsa sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të dala nga 63,46 për qind e të dhënave të përpunuara, deri në orën 18:30 të drejtën e votës e shfrytëzuan 49,55 për qind apo 573.774 qytetarë me të drejtë vote.

Aktualisht pas orës 19 po votojnë vetëm personat që tashmë kanë mbetur në radhë në objektet e votimit.

Votimi në mbarë territorin e vendit, sipas KSHZ-së kryesisht ka kaluar pa pengesa, por për shkak se në këto zgjedhje për herë të parë u përdorën pajisje për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve në disa vendvotime, procesi u zhvillua më ngadalë dhe u krijuan radhë për shkak të vështirësive me këto pajisje.

Sipas autoriteteve, një pjesë e gjurmëve të gishtërinjve të siguruara nga institucionet përkatëse janë me kualitet të dobët dhe identifikimi i tyre ishte më ngadalë. KSHZ më herët u bëri thirrje kryetarëve të qendrave të votimit të votohet vetëm me pajisjet e identifikimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe nëse është e nevojshme të zgjatet orari i votimit, por në asnjë mënyrë të evitohen këto pajisje

Kreu i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, po ashtu tha se në institucionin që ai drejton kanë arritur informacione se në disa vendvotime nuk është votuar me përdorimin e këtyre pajisjeve dhe se kjo mënyrë e votimit është i "paligjshëm".

Më vonë, pritet që KSHZ-ja të dalë me të dhëna të reja rreth jehonës së votuesve dhe mbarëvajtjes së procesit të votimi, si dhe t'i shpall edhe rezultatet preliminare.

Përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhje në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, si dhe në komunat përkatëse, mund të ndiqet në faqen zyrtare të KSHZ-së 'https://rezultati.sec.mk/mk/mayr/t2', ndërkohë më vonë pritet të shfaqet edhe numërimi i votave.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın