BALLKANI

Maqedoni e Veriut, mbahet takimi i dytë i organizatave joqeveritare të Ballkanit

Pjesë e programit të mbajtur në Shkup, ishin 60 pjesëmarrës nga 29 OJQ të vendeve të Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Türkiye

Dzihat Aliju  | 24.12.2022 - Përdıtësım : 25.12.2022
Maqedoni e Veriut, mbahet takimi i dytë i organizatave joqeveritare të Ballkanit Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Në Maqedoninë e Veriut është mbajtur takimi i dytë i organizatave joqeveritare (OJQ) në Ballkan, organizuar nga Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) nga Türkiye, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e programit të titulluar "Trajnim ndërkombëtar për shkrimin e projekteve" të mbajtur në Shkup, ishin 60 pjesëmarrës nga 29 OJQ të vendeve të Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Türkiye.

Anëtari i Bordit të Administrimit të IHH-së, Osman Atalay në deklaratën për AA rikujtoi se takimin e parë të këtij formati e kanë realizuar vitin e kaluar më 25 dhjetor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ai tha se vitin e kaluar me OJQ-të nga 10 vende të Ballkanit kanë folur rreth problemeve, zgjidhjeve dhe të ardhmen e OJQ-ve si dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave, bashkëpunimin e të tjera. "Sot gjithashtu me 60 pjesëmarrës nga 29 OJQ nga 10 vende po realizojmë një trajnim. Këtu jemi për programin ndërkombëtar për shkrimin e projekteve të destinuar për OJQ-të e Ballkanit", tha Atalay.

Sipas tij, programi ka të bëjë me përgatitjen e projekteve sociale, kulturore, ekonomike, tregtare të OJQ-ve dhe projekteve social-arsimore të nevojshme për vendin e tyre si dhe t'u mësojë se si të zhvillojnë formatin e aplikimit për grante ndërkombëtare dhe fondet e ndihmës në drejtim të përmirësimit të aftësive të tyre, duke shtuar se synojnë që këto takime t'i zhvillojnë në të gjithë vendet e Ballkanit në vitet në vijim.

Duke folur për rëndësinë e aktivitetit, Atalay tha se: "Ky është një program bashkëpunimi, i ndihmës mes organizatave joqeveritare në Ballkan, për forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojës, kërkimin e zgjidhjeve së bashku për problemet tona si dhe për zhvillimin e institucioneve".

Ai theksoi se përveç vendeve të Ballkanit, në trajnim do marrin pjesë edhe nga Austria dhe Hungaria, kurse falënderoi Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për mbështetjen e tyre si dhe AA-në që gjithmonë aktivitetet e tyre ua përçon njerëzve të rajonit dhe Türkiye-s.

Specialisti për hulumtim-zhvillim dhe projekte, Enes Güneyli, si trajnues në këtë program, potencoi se në trajnimet për shkrimin e projekteve do të shpjegojnë rreth infrastrukturës teknike të programeve për projekt-grant-mbështetje të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare dhe se si shkruhen teknikisht punimet lidhur me shkrimin e projekteve.

Mes tjerash ai tha se në trajnim do të flasë rreth përvojave të tyre në botë dhe Türkiye në fushën e hulumtim-zhvillimit si dhe inovacionit. "Do të jetë një trajnim që do të zgjasë afërsisht 5-6 orë ku do të flasim se si realizohen projekte të ndryshme në shumë fusha si në fushën e sipërmarrjes sociale veçanërisht në teknologji, si janë format e tyre në përgjithësi, cilat institucione dhe organizata ofrojnë studime mbështetëse për projekte", u shpreh Güneyli duke shtuar se në fund pjesëmarrësit do të përgatisin demo-projekt.

Në trajnim do të jepen kurse për Kërkim dhe Zhvillim dhe Proceset e Inovacionit/Analiza SWOT, Teknikat e Përgatitjes së Projekteve, Aplikimet për Fondet e Projektit dhe Organizatat Mbështetëse të Granteve, Hulumtimi i Projekteve si dhe demo-projekte të Fazave të Menaxhimit të Projektit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
IHH
Bu haberi paylaşın