BALLKANI

Maqedoni e Veriut, mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në 4 komuna

Në Gostivar, në listën zgjedhore janë të regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, në Mavrovë dhe Rostushë 10.575, në Vrapçisht 27.279 dhe në Qendër Zhupë 7.562 qytetarë me të drejtë vote

Dzihat Aliju  | 11.01.2026 - Përdıtësım : 11.01.2026
Maqedoni e Veriut, mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në 4 komuna Foto: AA/Arkiv

Shkup

Sot mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetarët e komunave në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë, raporton Anadolu.

Të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe personat në burgje të regjistruar në listën e votuesve në këto komuna e përdorën të drejtën e tyre të votës dje, më 10 janar.

Në Gostivar, në listën zgjedhore janë të regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, në Mavrovë dhe Rostushë 10.575, në Vrapçisht 27.279 dhe në Qendër Zhupë 7.562 qytetarë me të drejtë vote.

Kandidatë për kryetar në Komunën e Gostivarit janë Nevzat Bejta nga koalicioni VLEN dhe Valbon Limani si kandidat i pavarur i mbështetur nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).

Në Vrapçisht, kandidatë për kryetar janë Isen Shabani nga AKi dhe Zulhajrat Demiri i mbështetur nga grup votuesish.

Në Qendër Zhupë ka vetëm një kandidat për kryetar komune, respektivisht Arijan Ibraim nga Partia Demokratike e Turqve.

Në Mavrovë dhe Rostushë janë dy kandidatë, Oner Jakuposki i mbështetur nga Koalicioni "Maqedonia Juaj", i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe Anes Ahmeti, kandidat i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).

Në këto 4 komuna në raundin e parë nuk u arrit pragu i daljes

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u mbajt më 19 tetor, ndërsa më 2 nëntor raundi i dytë.

Në këto katër komuna nuk u arrit pragu minimal i daljes në raundin e parë dhe sipas Kodit Zgjedhor nisi procedurë e re zgjedhore.

Në zgjedhjet e përsëritura, që mbahen sot, sipas Kodit Zgjedhor, nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve.

Për t'u zgjedhur kryetari i komunës duhet që për njërin nga kandidatët të votojë më shumë se gjysma e votuesve që kanë dalë në votim. Këtu përfshihet edhe komuna Qendër Zhupë, ku ka vetëm një kandidat.

Në Gostivar në raundin e parë të zgjedhjeve dalja ishte 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë dhe Rostushë 30,31 për qind dhe në Qendër Zhupë 21,49 për qind.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.