BALLKANI

Maqedoni e Veriut, më 15 korrik do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare

Liderët e dy partive më të mëdha politike në Maqedoninë e Veriut janë pajtuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa kjo marrëveshje është përshëndetur nga presidenti i vendit

Admir Fazlagikj  | 15.06.2020 - Përdıtësım : 16.06.2020
Maqedoni e Veriut, më 15 korrik do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare Foto: AA/Arhiv

Shkup

Liderët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, kanë njoftuar se janë pajtuar që 15 korriku të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, në fjalimin e tij para opinionit tha se 15 korriku është data e dakorduar me opozitën për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

"Në mënyrë që njerëzit të mos vuajnë dhe t'u mundësojmë Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së të demonstrojnë në vepër përgjegjësinë e tyre, kemi konkluduar 15 korrikun si datën përfundimtare, të fundit dhe të vetme për zgjedhje në të cilat opozita me garancë të merr pjesë", theksoi Zaev.

Ai informoi se edhe sot ka biseduar me Mickoskin, i cili i ka konfirmuar se pajtohet të merr pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut, që siç theksoi Zaev, është ditë e mërkurë por do të jetë ditë jo pune.

"E hëna (13.07) dhe e marta (14.07) do të jetë ditë votimi për të sëmurët, përfshirë ata me COVID-19, në shtëpi ose në spitale, të gjithë ata që janë në vetizolim dhe të gjithë qytetarët me sëmundje kronike. Heshtja zgjedhore do të fillojë në fund të ditës më 12 korrik, të dielën", shtoi Zaev.

Siç theksoi ai, tani do të kërkohet nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, të shpallë edhe një herë gjendje të jashtëzakonshme që të mund të bëhen ndryshimet e duhura ligjore në Kodin Zgjedhor nga ana e Qeverisë së vendit, pasi Kuvendi është shpërndarë që nga data 16 shkurt.

Qeveria mund të bëjë ndryshime nëpërmjet vendimeve me fuqi ligjore të miratuara vetëm në kushte të ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Sipas marrëveshjes së arritur, duhet të ndryshohet dita e mbajtjes së zgjedhjeve, nga e diela në të mërkurën, dita e votimit të personave të sëmurë si dhe votimi të zgjasë deri në ora 21:00, ndërsa paraprakisht ishte deri në ora 19:00.

"Këtë herë kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme do të jetë vetëm me qëllim të harmonizimit të 15 korrikut si datë përfundimtare për zgjedhjet dhe të gjitha ndryshimeve që përmenda më parë në përputhje me Kodin Zgjedhor, është e drejtë e qytetarëve ta dinë. Kjo është arsyeja pse do të kërkohet gjendje e jashtëzakonshme, për shkak të zgjedhjeve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është e nevojshme për shkak të masave ekonomike", tha Zaev.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, konfirmoi në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale se 15 korriku është data e dakorduar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

"VMRO-DPMNE do të merr pjesë në zgjedhjet më 15 korrik, e mërkurë dhe së bashku me popullin do të mposhtë burimin e krizës, Zoran Zaev dhe LSDM", ka shkruar Mickoski.

"Dy kushtet që i kemi kërkuar janë pranuar, i pari protokolle për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, i dyti misioni i OSBE-ODIHR për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve", shtoi ai.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një postim në rrjetet sociale përshëndeti marrëveshjen e arritur mes liderëve të partive politike që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik të këtij viti.

"Pres që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike, siç i ngjan një shteti anëtar të NATO-s dhe një vend që po fillon bisedimet me Bashkimin Evropian", shkroi Pendarovski.

"Konsensusi i arritur për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është një tregues tjetër se në çdo vend me maturi demokratike është i nevojshëm një dialog politik përmes të cilit miratohen vendime të harmonizuara dhe vendime ekskluzivisht në interes të qytetarëve", shtoi ai.

Kujtojmë se shkaku i pandemisë së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut janë prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.