BALLKANI

Maqedoni e Veriut, KSHZ publikon rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

Kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, ka marrë 561.001 vota, ndërsa presidenti aktual dhe kandidati i koalicionit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, ka marrë 251.881 vota

Abdula Berisha  | 09.05.2024 - Përdıtësım : 10.05.2024
Maqedoni e Veriut, KSHZ publikon rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

Shkup

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut, në kuadër të seancës së 102-të, shpalli rezultatet fillestare dhe zyrtare të 100 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, transmeton Anadolu.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, theksoi se kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, ka marrë 561.001 vota, ndërsa presidenti aktual dhe kandidati i koalicionit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, ka marrë 251.881 vota.

Presidentja e parë femër në historinë e Maqedonisë së Veriut fitoi 65,14 për qind të votave, ndërsa presidenti në largim fitoi 29,25 për qind.

Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme është 48.289, ndërsa pjesëmarrja është 47,47 për qind.


- VMRO-DPMNE me më së shumti mandate të fituara

Sipas rezultateve fillestare zyrtare të publikuara nga KSHZ, 120 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë të shpërndarë si më poshtë:

1. Koalicioni Maqedonia juaj-VMRO-DPMNE - 58 mandate parlamentare

2. Koalicioni Fronti Evropian-BDI - 19 mandate parlamentare

3. Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane-LSDM – 18 mandate

4. Koalicioni VLEN – 13 mandate parlamentare

5. E majta (Levica) - 6 mandate parlamentare

6. Lëvizja ZNAM – 6 mandate parlamentare


- Inaugurimi i presidentes së sapozgjedhur pritet të bëhet të dielën

Nesër në orën 19:00 përfundon afati për kundërshtimet për zgjedhjet presidenciale. Menjëherë pas kësaj, KSHZ-ja duhet të dorëzojë në Kuvend raportin për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Sipas paralajmërimeve, kryeparlamentari Jovan Mitreski pritet për të dielën në mesditë ta caktojë seancën parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur të shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.

Afati për kundërshtime për zgjedhjet parlamentare skadon nesër në orën 23:30.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın