BALLKANI

Maqedoni e Veriut: Grubi vendoset në arrest shtëpiak, autoritetet përmendin rrezik për sigurinë e tij në paraburgim

Gjykata kompetente njoftoi se procedura ndaj të dyshuarit do të vazhdojë pasi ai është paraqitur vullnetarisht para organeve të drejtësisë dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me autoritetet

Abdulbesar Ademi  | 23.02.2026 - Përdıtësım : 23.02.2026
Maqedoni e Veriut: Grubi vendoset në arrest shtëpiak, autoritetet përmendin rrezik për sigurinë e tij në paraburgim

Shkup

Gjykata kompetente në Shkup ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për ish-zv/kryeministrin Artan Grubi, i cili dyshohet në rastin që lidhet me “Lotarinë Shtetërore”, duke e zëvendësuar masën paraprake të paraburgimit për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij, transmeton Anadolu.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, e cila propozoi masën e arrestit shtëpiak, njoftooi se procedura ndaj të dyshuarit do të vazhdojë pasi ai është paraqitur vullnetarisht para organeve të drejtësisë dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me autoritetet.

Sipas prokurorisë, me kërkesë të mbrojtjes, Grubi është paraqitur para prokurorit kompetent dhe ka nisur shqyrtimin e materialeve të lëndës. Për shkak të vëllimit të madh të provave, thuhet se shqyrtimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës të dyshuarit do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij.

Autoritetet sqaruan se zëvendësimi i paraburgimit me arrest shtëpiak dhe konfiskimi i pasaportës është propozuar duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e provave tashmë është siguruar, faktin që i dyshuari është paraqitur vullnetarisht, si dhe indiciet se në njësinë e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale.

Sipas prokurorisë, shqetësimet për sigurinë përfshijnë edhe anëtarë të familjes së tij.

Pas marrjes në pyetje në prokurori, Grubi është dërguar në Gjykatën Penale, ku është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Grubi, i cili në periudhën e kaluar ka mbajtur poste të larta qeveritare, përfshirë atë të zv/kryeministrit të parë dhe ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u arrestua më herët gjatë ditës në pikën kufitare Bllacë, pas së cilës u transferua në njësinë e paraburgimit në Shutkë dhe më pas u dërgua për marrje në pyetje në prokurori.

Ai u largua nga Maqedonia e Veriut në periudhën kur u hapën procedurat paraprake në rastin e “Lotarisë Shtetërore”. Pas largimit të tij, autoritetet e ndjekjes penale vijuan procedurat hetimore dhe ndërmorën veprime ligjore në mungesë, duke e përfshirë atë në listën e personave të kërkuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.