Turqia, BALLKANI

Maqedoni e Veriut, BFI në mbështetje nga Turqia do të shpërndajë 80 tonë ndihma humanitare

Duke theksuar se pandemia ka krijuar probleme të mëdha në ekonominë e shoqërisë, Fetahu tha se ata përgatitën një projekt me 80 tonë ndihma humanitare ose 4 mijë pako ushqimore për familjet nga i gjithë vendi

Husamedin Gina  | 15.04.2021 - Përdıtësım : 16.04.2021
Maqedoni e Veriut, BFI në mbështetje nga Turqia do të shpërndajë 80 tonë ndihma humanitare ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me organizatën humanitare "Hilal" dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë gjatë muajit të Ramazanit do të shpërndajë 80 tonë ndihma humanitare për familjet në nevojë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, në një konferencë për media me rastin e fillimit të shpërndarjes së ndihmave humanitare theksoi se muaji i Ramazanit është muaj i paqes, prosperitetit dhe në veçanti muaj i solidaritetit.

"Kur ne agjërojmë këto ditë të Ramazanit, ndiejmë se çfarë do të thotë të mos kesh, çfarë do të thotë të jesh i varfër, çfarë do të thotë të jesh i uritur. Pra, agjërimi tek një person krijon një ndjenjë për të ndihmuar të tjerët dhe një ndjenjë për vëmendje ndaj të tjerëve", tha Fetahu.

Ai tha se BFI-ja ka planifikuar aktivitete të ndryshme për muajin e Ramazanit dhe se vëmendje të veçantë i është kushtuar solidaritetit.

Duke theksuar se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka krijuar probleme të mëdha në ekonominë e shoqërisë, Fetahu tha se BFI-ja së bashku me organizatën "Hilal" dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë përgatitën një projekt me 80 tonë ndihma humanitare ose 4 mijë pako ushqimore për familjet nga i gjithë vendi.

"Nga sot, ata do të shpërndahen në myftini në qytete të ndryshme, duke filluar nga Shkupi, Kumanova deri në Ohër, Strugë, Dibër dhe të tjera", tha Fetahu, duke falënderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë për bashkëpunimin dhe ndihmën e saj.

Kreu i BFI-së përsëriti thirrjen e tij për të gjithë besimtarët muslimanë që të vazhdojnë me disiplinë të madhe të respektojnë masat e autoriteteve shëndetësore për të kontribuar në tejkalimin e kësaj krize të rëndë dhe të madhe shëndetësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.