BALLKANI

Maqedoni e Veriut, BFI-ja reagon pas anulimit të vendimit për themelimin e shkollës së mesme "Medreseja Isa Beu"

“Me shqetësim të thellë pranuam lajmin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së RMV”, tha Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut

Shpetim Hiseni  | 30.04.2025 - Përdıtësım : 30.04.2025
Maqedoni e Veriut, BFI-ja reagon pas anulimit të vendimit për themelimin e shkollës së mesme "Medreseja Isa Beu"

Shkup

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit për anulimin e një vendimi qeveritar të vitit të kaluar për themelimin e shkollës së mesme “Medreseja Isa Beu”, transmeton Anadolu.

“Me shqetësim të thellë pranuam lajmin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së RMV-së nr. 02-268, të datës 09.05.2024, me të cilin themelohet Shkolla e Mesme Private ‘Medreseja Isa Beu’ në Shkup”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Ajo tha se miratimi i shkollës së mesme ishte bërë me vendim të qeverisë, të verifikuar me vendim për verifikimin e kushteve për zbatimin e planprogrameve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në procedurë transparente duke kaluar të gjitha filtrat e përcaktuara, ashtu siç subjektet e tjera fizike e juridike kanë themeluar dhe themelojnë institucione arsimore në vend.

“Bashkësia Fetare Islame e RMV-së do të presë pranimin zyrtar të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së. Më pas do të analizojë ‘arsyeshmërinë e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së RMV-së’ dhe do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë”, thuhet në reagim.

BFI-ja tha se para Gjykatës Kushtetuese kanë inicuar procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 7 të “Ligjit për Arsimin e Mesëm” me të cilin nuk lejohet “mësimi fetar nëpër shkollat e mesme” me arsyetim se ai është në kundërshtim me amandamentin 7 dhe nenin 22 të Kushtetutës së RMV-së, “i cili çdo qytetari i garanton lirinë dhe mundësinë për arsim fetar në shkolla fetare”.

Gjykata Kushtetuese sot shfuqizoi vendimin e qeverisë të vitit të kaluar, i cili jepte miratimin për hapjen e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” në Shkup.

Sipas gjykatës, ky vendim i qeverisë është vlerësuar si i paligjshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën, për shkak se i lejon BFI-së të themelojë një shkollë të mesme.

Vendimi i Qeverisë për lejimin e aktiviteteve me përmbajtje fetare në shkollat e mesme është shpallur i papajtueshëm me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Sipas gjykatës, ky vendim bie ndesh me nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili ndalon organizimin e aktiviteteve fetare dhe shfaqjen e simboleve fetare në institucionet arsimore të mesme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın