BALLKANI

Maqedoni e Veriut, 1.3 miliardë denarë investime për infrastrukturën rurale

Në Shkup është bërë prezantimi i rezultateve të projektit për zhvillim të infrastrukturës rurale, të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore

Abdula Berisha  | 10.09.2019 - Përdıtësım : 11.09.2019
Maqedoni e Veriut, 1.3 miliardë denarë investime për infrastrukturën rurale ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka marrë pjesë në prezantimin e rezultateve të projektit për zhvillim të infrastrukturës rurale, të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Banka Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Zaev në fjalimin e tij tha se me realizimin e suksesshëm të projekteve nga fondi IPA janë përmirësuar kushtet e jetesës edhe në mjediset rurale.

"Me këtë projekt janë realizuar 135 nënprojekte në 78 komuna në nivel të shtetit, përmes projektit të përmirësimit të shërbimeve komunale MSIP, i financuar me hua nga Banka Botërore. Vlera e përgjithshme e projekteve është 1.3 miliardë denarë, nga të cilat 1.2 miliardë denarë janë mjete që janë siguruar nga granti IPA, ndërsa 97 milionë denarë janë kofinancim i komunave", tha Zaev.

Projektet e realizuara kryesisht kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve, kanalizimeve dhe investimeve tjera infrastrukturore në mjediset rurale.

Marco Mantovanelli, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, në fjalimin e tij tha se institucioni të cilin e përfaqëson ai është partner i vendit për më shumë se 10 vite.

"Partneriteti fillimisht ishte dhe akoma është me Ministrinë e Financave dhe me kryetarët e komunave përmes financimeve të ndryshme të Bankës Botërore. Në fazën e parë në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, 78 milionë dollarë do të kompletojnë financimin në mars dhe do të arrijë në 57 komuna", tha Mantovanelli.

Në prezantimin e rezultateve të projektit, fjalim kishin edhe ministrja e Financave, Nina Angellovska dhe përfaqësuesi i BE-së në Shkup, Samuel Zbogar, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë kryetarë të komunave.

Para mbajtjes së prezantimit, kryeministri Zaev u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, ku konfirmoi se më vonë gjatë ditës do të ketë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Temë e takimit pritet të jetë ligji për Prokurorinë Themelore Publike, për çka gjatë ditëve të kaluara kanë diskutuar grupe të dy partive më të mëdha politike.

Zaev tha se mosmarëveshjet nuk janë të pakapërcyeshme, duke shtuar se pret që palët të ndërmarrin përgjegjësinë që u takon.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.