Manja: Kërkesa për një Kod Penal të ri në Shqipëri, nevojë e një shteti që transformohet çdo ditë
Në Shqipëri ka nisur punën për hartimin e një Kodi Penal të ri, ku sipas autoriteteve, hartimi i tij lind si domosdoshmëri me qëllim përshtatjen e tij me të gjithë aktet ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar ndër vite

Tiranë
Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë ka prezantuar sot draftin e Kodit Penal të ri të Shqipërisë, raporton Anadolu.
Në aktivitetin e organizuar në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë dhe nga institucionet e fushës së drejtësisë në vend, si nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe të institucioneve të tjera.
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij në hapje të aktivitetit u shpreh se janë të angazhuar që ky proces të ecë me seriozitet dhe të marrë gjithë kohën e nevojshme të konsultimit publik dhe profesional.
"Në një shtet të së drejtës, Kodi Penal është shtylla themelore e kontratës tonë sociale. Ai përkufizon qartë kufirin mes sjelljes së lejuar dhe asaj të dënueshme dhe është një instrument i drejtpërdrejtë në shërbim të mbrojtjes së rendit juridik dhe kushtetues, të drejtave dhe sigurisë juridike të çdo individi", tha Manja.
Ai theksoi se kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri nuk është çështje politike, por një nevojë e domosdoshme e një shteti dhe shoqërie që evoluon, zhvillohet dhe transformohet çdo ditë, por sipas tij edhe si nevojë e një dinamike të re kushtetuese, institucionale dhe integruese.
Manja shtoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian kërkon një përafrim të plotë të Kodit Penal me acquis-in e BE-së, direktivat, konventat evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
"Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është i pashmangshëm", tha ndër të tjera Manja.
Në Shqipëri ka nisur punën për hartimin e një Kodi Penal të ri. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, hartimi i një Kodi Penal të ri lind si domosdoshmëri me qëllim përshtatjen e tij me të gjithë aktet ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar ndër vite.
Kodi Penal i Shqipërisë aktual në fuqi është miratuar në vitin 1995 dhe përgjatë viteve është ndryshuar disa herë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.