BALLKANI

Mali i Zi shpalli ambasadorin serb person "të padëshiruar"

MPJ e Malit të Zi vuri në dukje se ambasadori serb Vlladimir Bozhoviç vazhdimisht ndërhynte në punët e brendshme të Malit të Zi

Samir Kajoševic  | 28.11.2020 - Përdıtësım : 29.11.2020
Mali i Zi shpalli ambasadorin serb person "të padëshiruar"

Podgoricë

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Malit të Zi e shpalli Ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Vlladimir Bozhoviç, person "të padëshiruar" dhe i kërkoi të largohej nga Mali i Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria vuri në dukje se Bozhoviç vazhdimisht ndërhynte në punët e brendshme të Malit të Zi, duke shtuar se sjellja dhe deklaratat e tij nuk ishin në pajtueshmëri me standardet e zakonshme dhe të pranueshme të kryerjes së një funksioni diplomatik.

"Pas disa paralajmërimeve verbale dhe të shkruara rreth papranueshmërisë së një sjelljeje të tillë, dje Ambasadori Bozhoviç e quajti parlamentin e paligjshëm të Podgoricës në 1918 si 'çlirimtar' dhe shprehje e 'vullnetit të lirë' të popullit të Malit të Zi", thonë nga ministria.

Në kumtesë gjithashtu theksohet se me këtë, Bozhoviç në mënyrë të drejtpërdrejtë nënçmoi shtetin që i bëri mikpritjen diplomatike, ndërsa MPJ e Malit të Zi për vendimin e ka informuar MPJ-në e Serbisë.

"Bozhoviç poshtëroi organin më të lartë legjislativ dhe përfaqësues, Parlamentin e Malit të Zi, i cili më 29 nëntor 2018 miratoi Rezolutën për anulimin e vendimeve të Parlamentit të Podgoricës që shfuqizoi sovranitetin e deriatëhershëm të Malit të Zi, territorin e tij ia aneksoi Mbretërisë së Serbisë dhe rrëzoi me forcë mbretin Nikola Petroviç Njegosh", thuhet në kumtesën e MPJ-së së Malit të Zi.

Në fillim të muajit, Bozhoviç u thirr në ministri pasi, përkundër kundërshtimit nga opinoini, ai planifikoi të vendoste një kurorë lulesh para një pllake përkujtimore në Budva, në të cilën shkruan se ushtria serbe çliroi qytetin në vitin 1918.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın