Mali i Zi ka 633.158 banorë, rreth 2 për qind më shumë së në 2011
Regjistrimi mblodhi të dhëna për 217.441 amvisëri dhe 396.873 apartamente

Podgoricë
Sipas rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në vitin 2023, Mali i Zi ka 633.158 banorë, njoftoi Drejtoria për Statistikat (MONSTAT), transmeton Anadolu.
Regjistrimi mblodhi të dhëna për 217.441 amvisëri dhe 396.873 apartamente, ndërsa gjithsej 673.203 persona u regjistruan gjatë fazës së mbledhjes së të dhënave.
Njoftimi paraqet rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave, i cili është zbatuar në periudhën 3-30 dhjetor 2023, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare të UNECE dhe udhëzimet e rregullores së aplikuar 763/2008 të Parlamenti Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian.
Numri i banorëve u rrit me rreth dy për qind krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, kur në shtet kishte 620.029 banorë.
Numri më i madh i banorëve është regjistruar në Podgoricë, Nikshiq, Tivar dhe Bijelo Polje, ndërsa më i vogli në Shavnik, Pluzhine dhe Zhabljak.
Rezultatet paraprake të regjistrimit përmbajnë të dhëna bazë për numrin e përgjithshëm të personave të regjistruar, numrin e banorëve, familjeve dhe banesave të nxjerra në bazë të rezultateve për rrethet e regjistrimit në terren.
Pas futjes së të dhënave të mbledhura nga regjistrimi, kryerjes së kontrolleve statistikore dhe përpunimit statistikor të tyre në përputhje me metodologjinë e përcaktuar, rezultatet përfundimtare të regjistrimit do të sigurohen dhe do të publikohen në gjysmën e dytë të vitit 2024.