Ljutkov-Ersoy: Thellohet partneriteti dhe bashkëpunimi në kulturë dhe turizëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë
"Ministrat diskutuan për hapa konkretë për rritjen e numrit të turistëve turq në Maqedoninë e Veriut si dhe për mundësitë për tërheqjen e investitorëve nga Turqia për zhvillimin e infrastrukturës turistike", thuhet në njoftim
Shkup
Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov, në kryeqytetin e Turqisë Ankara zhvilloi një takim bilateral me homologun e tij, ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga ministria maqedonase, Ljutkov po qëndron për një vizitë dy-ditore pune në Turqi.
Në takim, ku morën pjesë edhe koordinatori kombëtar për turizëm Akan Mahmut dhe ambasadori Jovan Manasievski, të dy ministrat konfirmuan lidhjet tradicionalisht të mira kulturore mes dy vendeve si dhe përkushtimin e përbashkët për avancimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në drejtim të një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë.
Ljutkov dhe Ersoy theksuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit përmes realizimit të projekteve të përbashkëta, përfshirë digjitalizimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e industrive kreative, koproduksioneve si dhe avancimin e turizmit kulturor.
"Ministrat diskutuan për hapa konkretë për rritjen e numrit të turistëve turq në Maqedoninë e Veriut si dhe për mundësitë për tërheqjen e investitorëve nga Turqia për zhvillimin e infrastrukturës turistike. Bashkëbiseduesit u dakorduan që në periudhën në vijim të punojnë në projekte konkrete të përbashkëta, me qëllim forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve", thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, sipas njoftimit, Ljutkov i drejtoi një ftesë të hapur homologut të tij, ministrit Ersoy, që së shpejti të vizitojë vendin e tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
