Limani-Ulusoy: Familja, vlera themelore e shoqërisë
"Turqia do të vazhdojë të investojë në mënyrë aktive në mbrojtjen e familjes, martesës dhe vlerave kulturore si themele kryesore të shoqërisë", tha ambasadori Ulusoy.

Shkup
Në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup u mbajt një konferencë për media me rastin e 15 majit, Ditës Ndërkombëtare të Familjes, raporton Anadolu.
Konferenca u mbajt në ambientet e Ministrisë së Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ku ministri i saj, Fatmir Limani, dhe ambasadori turk në Shkup Fatih Ulusoy mbajtën fjalimet e tyre.
Ministri Fatmir Limani, duke hapur konferencën, tha: "Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, së bashku me ambasadorin e Turqisë, i riafirmojmë marrëdhëniet tona të gjata miqësore dhe përkushtimin tonë të përbashkët për përparimin e familjes si vlerë themelore dhe shtyllë e shoqërisë".
"Vizioni ynë është një shoqëri në të cilën çdo fëmijë ka mundësi të rritet në një mjedis të sigurt, kujdesës dhe nxitës; ku familjet janë të mbështetura, dhe të rinjtë të inkurajuar ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me shpresë dhe vetëbesim. Dita e sotme e Familjes është një rikujtim se pikërisht në familje mbështeten vlerat që e shtyjnë përpara një shoqëri. Le të investojmë në ato vlera me zemër, me vizion dhe me hapa të përbashkët", tha ministri Limani.
Ambasadori turk në Shkup, Ulusoy, falënderoi ministrin për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tij për ruajtjen e vlerave familjare.
Ai kujtoi se OKB-ja e shpalli vitin 1994 Vitin e Familjes dhe se 15 maji festohet si Dita Ndërkombëtare e Familjes për 30 vjet.
"Familja, si shtylla kryesore e shoqërisë, është një institucion i pazëvendësueshëm që nuk ka alternativë", tha Ulusoy.
Ai njoftoi se viti 2025 është shpallur Viti i Familjes në Turqi, gjatë të cilit do të zbatohen aktivitete për të forcuar strukturën e familjes, si dhe një Forum Ndërkombëtar për Familjen do të mbahet në Stamboll më 22-23 maj, për të cilin ministri Limani mori ftesë zyrtare.
- Turqia me strategji gjithëpërfshirëse për të forcuar familjen
Ambasadori turk Ulusoy theksoi se aktivitetet në kuadër të Vitit të Familjes koordinohen nga Ministria e Familjes dhe Çështjeve Sociale dhe përfshijnë një qasje gjithëpërfshirëse për forcimin e institucionit të familjes dhe adresimin e sfidave bashkëkohore.
Nën kujdesin e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe me mbështetjen e institucioneve publike, qeverive lokale, organizatave joqeveritare dhe institucioneve akademike, u miratua Dokumenti i Vizionit dhe Planit të Veprimit 2024–2028, i cili përfshin strategji dhe qëllime për mbrojtjen dhe mbështetjen e familjeve.
"Turqia do të vazhdojë të investojë në mënyrë aktive në mbrojtjen e familjes, martesës dhe vlerave kulturore si themele kryesore të shoqërisë", tha ambasadori Ulusoy.
Ai gjithashtu njoftoi se institucionet turke organizojnë aktivitete jashtë vendit, të synuara për familjet turke, me tema të tilla si komunikimi familjar, varësia digjitale dhe ruajtja e identitetit kulturor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.