BALLKANI

Liderët e Ballkanit Perëndimor dakordohen të investojnë në burimet e rinovueshme të energjisë

Liderët u mblodhën në Beograd në konferencën "Mundësia e investimit në burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor"

Bojan Bednar  | 17.11.2022 - Përdıtësım : 18.11.2022
Liderët e Ballkanit Perëndimor dakordohen të investojnë në burimet e rinovueshme të energjisë

Beograd

Liderët e Ballkanit Perëndimor në konferencën "Mundësia e investimit në burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor" ranë dakord se do të investojnë në burimet e rinovueshme të energjisë dhe në tregun rajonal, në mënyrë që vendet e rajonit të kenë një të ardhme të sigurt energjetike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media të mbajtur pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiq theksoi se energjia është një çështje kyçe për Serbinë dhe se në periudhën e ardhshme niveli i investimeve në energji duhet të jetë nga 17 deri në 32 miliardë euro në mënyrë që vendi të mbijetojë, të ketë mjaftueshëm gaz, energji elektrike, naftë dhe gjithçka për funksionimin e industrisë dhe të amvisërive.

Ai tha se çështja e energjisë do të zgjidhet në bashkëpunim me Norvegjinë.

Zv/ministri i Energjisë dhe i Dërguari Special i Kryeministrit të Norvegjisë, Andreas Eriksen, theksoi se energjia e gjelbër mund të stimulojë tranzicionin e gjelbër në të gjithë rajonin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në kohë krize nevojitet një bashkëpunim më i gjerë, të cilin e mbrojtën edhe themeluesit e nismës "Ballkani i Hapur" (Open Balkans) dhe se aksioni i përbashkët lehtëson shumë gjëra, edhe në fushën e energjisë.

Ai deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë tregje të vogla, se duhet të zgjerohen përtej kufijve të tyre dhe se çdo gjë është shumë më e shtrenjtë nëse secili vend trajton atë në mënyrë të izoluar, në krahasim nëse vendet do të veprojnë së bashku.

“Nëse do të vepronim nga një këndvështrim rajonal, mund të kishim qasje më të thjeshtë në financa dhe partneritete më të forta me sektorin privat”, tha Rama.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Zoran Tegeltija, tha se është e qartë se Bosnjë e Hercegovina është një vend shumë i decentralizuar edhe në aspektin energjetik. Ai tha se janë tri kompani publike që prodhojnë energji elektrike dhe një kompani e vetme për transmetimin e energjisë.

"Aktualisht, në BeH prodhohet më shumë energji elektrike sesa konsumohet në, por sasia që eksportohet varet nga situata hidrologjike", tha Tegeltija.

Ai theksoi në vendin e tij, pjesa më e madhe e objekteve janë ndërtuar prej kohësh, përveç një termocentrali që u ndërtua para disa vitesh, duke shtuar se për këtë duhen investime të mëdha.

Ai tha se Bosnja dhe Hercegovina është e vetëdijshme se mënyra e prodhimit të energjisë elektrike duhet të ndryshohet, sepse aktualisht 60 për qind e energjisë prodhohet në termocentrale.

Tegeltija shtoi se kapacitetet ekzistuese duhet të modernizohen, por se ato duhet të mbahen në pronësi të shtetit, sepse sipas tij, vetëm kjo garanton energji të mjaftueshme për nevojat e BeH-së.

Ai shtoi se është i hapur për investime të tjera, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë, bazuar në parimin e investimeve private apo partneriteteve publike-private, të cilat sipas tij janë zgjidhja më e mirë.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se vendi i tij dëshiron të ndërtojë objekte të reja energjetike për shfrytëzimin e energjisë diellore. Ai tha se do të insistohet për energjinë diellore dhe të erës dhe se plani është që në portin e Tivarit të ndërtohet një objekt për gaz të lëngshëm.

Ai tha se në Mal të Zi ka një disbalancë mes prodhimit dhe importit të energjisë elektrike në periudha të ndryshme të vitit, duke shtuar se i gjithë Ballkani Perëndimor është gati të mësojë nga vendet nordike.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se tani është mundësia që të shfrytëzohen mundësitë e energjisë së gjelbër në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se në periudhën e mëparshme ishte e mundur të shihet krijimi i një "rajoni të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore".

Ai theksoi se bashkëpunimi është një mënyrë për të tejkaluar krizën dhe për të krijuar një sistem më të qëndrueshëm energjetik që do të tërheqë më shumë investitorë.

Kovaçevski tha se asnjë vend nuk mund t'i zgjidhë problemet i vetëm dhe vuri në dukje se mundësitë tregojnë se rajoni mund të përfitojë nga kriza globale për t'u bërë qendër e potencialit energjetik.

Ai ftoi investitorët nga Norvegjia që të investojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë rajonin, duke përfunduar se qëllimi i Maqedonisë së Veriut është të ndërtojë një kapacitet deri në një gigavat energji të gjelbër.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.