BALLKANI

Lideri i partisë serbe në pushtet, Vuçeviq: Planet ushtarake të Kurtit, një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”

Kreu i SNS-së tha se thirrjet e Kurtit për një aleancë ushtarake midis forcave të Kosovës dhe forcave të Shqipërisë përfaqësojnë një “kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe kombin serb”, si dhe një hap drejt formimit të “Shqipërisë së Madhe”

Abdulbesar Ademi  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 09.09.2025
Lideri i partisë serbe në pushtet, Vuçeviq: Planet ushtarake të Kurtit, një hap drejt “Shqipërisë së Madhe” Foto: Filip Stevanovic/AA

Shkup

Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millos Vuçeviq, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për përshkallëzim të tensioneve në Ballkanin Perëndimor dhe ndjekjen e politikave kundër popullit serb, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Vuçeviq tha se thirrjet e Kurtit për një aleancë ushtarake midis Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FA) përfaqësojnë një “kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe kombin serb”, si dhe një hap drejt formimit të “Shqipërisë së Madhe”.

“Kurti sërish po kërcënon me armë dhe po përpiqet të shkaktojë përshkallëzim të konfliktit dhe ta vërë në flakë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Lidhja e aleancave ushtarake të drejtuara kundër Serbisë kujton atë që bëhej në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar dhe kur gjithçka shihet nga një perspektivë historike, është e qartë se çfarë po përgatitet dhe se po veprohet kundër popullit serb”, shkroi Vuçeviq.

Sipas tij, Kurti është “pararojë e një politike të tillë gjenocidale kundër popullit serb dhe jo vetëm që nuk e fsheh këtë, por edhe krenohet me të”.

Më tej, ai tha se aleanca ushtarake e FSK-së dhe FA-së, formimin e së cilës Kurti tani e paralajmëron, "nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim i ri i drejtpërdrejtë ndaj Serbisë dhe popullit serb dhe një hap i ri i Kurtit drejt formimit të ‘Shqipërisë së Madhe’ “, theksoi kreu i SNS-së.

Ai po ashtu akuzoi komunitetin ndërkombëtar, e cila, sipas tij qëndron e heshtur “para syve dhe veshëve të së cilës Kurti paralajmëron një festë të re luftë-nxitëse”, pasi siç tha ai, nga autoritetet e Prishtinës përsëri kemi “shkelje të ashpra” të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bazë të së cilës KFOR-i është i vetmi formacion ushtarak i lejuar në territorin e Kosovës.

Ndryshe nga Kurti dhe “nxitësit e tij të luftës”, theksoi Vuçeviq, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbrojtjes së bashkëkombësve të saj dhe ruajtjes së paqes e stabilitetit.

“Ne jemi të gatshëm të mbrojmë popullin tonë dhe atdheun tonë, por nuk dëshirojmë të krijojmë asnjë konflikt dhe kjo është përgjigjja jonë për të gjithë ata që i paralajmërojnë dhe i dëshirojnë ata dhe që bëjnë aleanca të drejtuara kundër nesh”, tha ai.

Sipas tij, Serbia lufton për paqen dhe për ruajtjen e saj punon në forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe politike për t’u përballur me të gjitha sfidat, por “nuk kërcënon askënd dhe nuk tund armët ndaj askujt”.

“Ky është dallimi midis nesh dhe atyre që duan të na kthejnë në vitet e 90-ta. Dhe sa moderne dhe e fuqishme është Serbia sot në funksion të ruajtjes së paqes, do të mund ta shohë e gjithë bota më 20 shtator, kur në Beograd të organizojmë një paradë ushtarake madhështore”, theksoi kreu i SNS-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın