Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë fillon punimet më 10 shtator
Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se presidenti Meta ka dekretuar datën 10 shtator për mbledhjen e parë të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar datën e mbledhjes së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të hapet më 10 shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se presidenti Meta ka dekretuar datën 10 shtator për mbledhjen e parë të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u mbajtën më 25 prill të këtij viti të cilat i fitoi Partia Socialiste e Shqipërisë(PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke siguruar mandatin e tretë qeverisës.
PS fitoi 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë. Në vend të dytë u rendit koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke fituar 59 mandate.
Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), renditet në vend të tretë me 4 mandate. Ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka konkurruar më vete.
Ndërkohë, në fillim të shtatorit pritet të prezantohet kabineti i ri qeveritar, që do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama.