BALLKANI

Lansohet data-baza digjitale që lehtëson të bërit biznes në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi tha se sektori i shërbimeve është segmenti më i madh i ekonomisë së Kosovës dhe forca shtytëse që kontribuon në pjesën më të madhe

Agim Sulaj  | 22.10.2020 - Përdıtësım : 22.10.2020
Lansohet data-baza digjitale që lehtëson të bërit biznes në Kosovë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka lansuar sot data-bazën digjitale për tregtinë në shërbime që do të lehtësojë të bërit biznes në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo data-bazë e cila shërben për të gjithë ata që janë të interesuar të ofrojnë shërbime në tregun e Kosovës, përmban të gjitha informacionet lidhur me legjislacionin që rregullon themelimin e një biznesi në vend si dhe mundëson lidhjen me agjencitë përgjegjëse për informacione më të hollësishme.

Kjo bazë e të dhënave siç u tha në konferencë për media ofron mënyrën e komunikimit mes palëve të interesit dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, “e cila është e gatshme dhe e përgatitur për të ndihmuar komunitetin e biznesit me të gjitha mjetet e mundshme”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi tha se sektori i shërbimeve është segmenti më i madh i ekonomisë së Kosovës dhe forca shtytëse që kontribuon në pjesën më të madhe, punësim dhe tregti vendore.

“Veprimtaritë e shërbimeve kanë mbuluar 74 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2019 dhe kanë punësuar 85 për qind të forcës së përgjithshme të punëtorëve në Kosovë. Veprimtaritë e shërbimeve përbëjnë 83 për qind të bizneseve të reja të regjistruara në vitin 2019. Gjithashtu eksporti i tregtisë në shërbime për vitin 2019 ka rritur vlerën prej 1.6 miliardë euro”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se qëllimi kryesor i këtij projekti është të lehtësojë qasjen për të gjitha palët e interesit në kornizën ligjore, që rregullojnë aktivitetet e shërbimeve në Kosovë duke ndihmuar në operimin e atyre që tashmë janë në Kosovë dhe atyre që dëshirojnë të ofrojnë shërbimet e tyre në Kosovë.

Zëvendës-shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Riccardo Serri tha se projekti ka rol krucial për ekonominë kosovare ndërsa tregtia e shërbimeve vendi i duhur për të bërë investime dhe avancime sikurse të vendeve tjera të BE-së.

“Derisa flasim për angazhimet për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) këto angazhime në vete nuk është se përbëjnë diçka, nuk kanë ndonjë përfitim direkt, por sjellin diçka që është e mirë për ekonominë e Kosovës në princip dhe ekonomitë e vendeve tjera që janë të lidhura me vendet tjera të BE-së përmes MSA-së. Pra, janë të mira jo në vetvete, por për të mirën që mund t’ua sjellin njerëzve të Kosovës në zhvillimin e sektorëve të tillë siç është rasti i sotëm me shërbimet tregtare”, tha Serri.

Në prezantimin e kësaj data-baze e cila është përkrahur nga Zyra e BE-së në Kosovë zyrtarët e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thanë se kanë vlerësuar fillimisht se Kosovës i mungon “një institucion unifikues sa i përket tregtisë në shërbime”.

Pika e Kontaktit të Shërbimit, ashtu siç është quajtur kjo platformë, është e organizuar në gjashtë shtylla apo kategori kryesore: hapja e biznesit, profesionet e akredituara, legjislacioni horizontal, legjislacioni sektorial, statistikat dhe publikimet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.