BALLKANI

Lëvizja Vetëvendosje me ankesë kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe

Partia në pushtet në Kosovë vlerëson se Lista Serbe angazhohet kundër shtetit të Kosovës

Abdula Berisha  | 02.01.2025 - Përdıtësım : 03.01.2025
Lëvizja Vetëvendosje me ankesë kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe

Shkup

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) sot ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa (PZAP) kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me kërkesën për anulimin e këtij vendimi, transmeton Anadolu.

"Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm", thuhet në njoftimin e LVV-së.

Partia në pushtet në Kosovë vlerëson se Lista Serbe angazhohet kundër shtetit të Kosovës, duke theksuar se Institucionet e pavaruara të Republikës, siç është KQZ, jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional.

"Lëvizja Vetëvendosje! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe", thuhet në njoftimin e partisë.

Kujtojmë se KQZ të martën certifikoi Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në muajin shkurt.

Vendimi erdhi pasi më herët, Gjykata Supreme e Kosovës doli me aktvendim duke e hedhur poshtë ankesën e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın