Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, debate për vrasjen e gjyqtarit
Në fillim të seancës parlamentare deputetët mbajtën një minutë heshtje në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja që u vra me armë zjarri më 6 tetor në Tiranë

Tiranë
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë seanca u përfshi nga debatet në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja disa ditë më parë, raporton Anadolu.
Në fillim të seancës deputetët mbajtën një minutë heshtje në nder të gjyqtarit Kalaja që u vra me armë zjarri më 6 tetor në Tiranë.
Në fjalën e tij në seancë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u shpreh se vrasja e gjyqtarit u dënua nga gjithë spektri politik dhe mbarë opinioni publik në vend.
"Gjyqtari Kalaja i shërbeu sistemit të drejtësisë me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet, duke lënë pas një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë në detyrë", tha Peleshi.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës që kanë kërkuar dorëheqjen e saj, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, tha se policia ka kryer veprimet e veta në përputhje të plotë ligjore.
"Ju e dini fare mirë, se një pjesë e mirë janë juristë këtu, se nëse do kishte përgjegjësi një polic i shtetit, sot do ishte në arrest. Policia e Shtetit ka kryer veprimet e veta në përputhje të plotë ligjore. Mjafton të shihni të gjithë bazën ligjore, që ky Kuvend e ka miratuar që në vitin 2016. Përgjegjëse për vrasjen nuk jam unë, jeni ju, nga mëngjesi në darkë me këtë gjuhë që përdorni", tha Koçiu, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, tha se ministrja Koçiu, "mashtroi publikisht" kur tha, sipas PD-së se "policia nuk ka përgjegjësi për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja".
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri më 6 tetor në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ngjarje e cila shkaktoi reagime mbi sigurinë në gjykata.
Në seancën plenare u miratuan rezolutat për raportet për veprimtarinë vjetore për vitin 2024 të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.