BALLKANI

Kuvendi i Shqipërisë mbi sulmin ndaj infrastrukturës IT: Mund të jetë një sulm i sofistikuar kibernetik

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës, ku thuhet se mund të jetë një sulm i sofistikuar kibernetik

Fatjon Cuka  | 10.03.2026 - Përdıtësım : 10.03.2026
Kuvendi i Shqipërisë mbi sulmin ndaj infrastrukturës IT: Mund të jetë një sulm i sofistikuar kibernetik

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka informuar se mbrëmjen e djeshme është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit, ku sipas institucionit, nga vlerësimi paraprak mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, transmeton Anadolu.

Në disa media është raportuar se sulmi kibernetik është kryer nga një grup iranian, ndërkohë në lidhje me rastin ka reaguar zyrtarisht edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

"Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht", thuhet në njoftim.

Sipas Kuvendit, pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit, ndërkohë thuhet se ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.

"Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike. Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm", thekson njoftimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın