Kuvendi i Shqipërisë interpelancë me ministren e Arsimit për sigurinë në shkollë, debate për çështjen Balluku
Para interpelancës, seanca u përfshi nga debatet dhe akuzat e ndërsjella mes deputetëve të shumicës dhe opozitës për çështjen ndaj Ballukut, ku disa deputetë të Partisë Demokratike bllokuan edhe foltoren
Tiranë
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë nga debatet për çështjen ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërkohë u mbajt edhe interpelancë mbi çështjet e sigurisë në shkolla, raporton Anadolu.
Në agjendën e seancën së sotme parlamentare, përveç diskutimeve për disa projektligje ishte edhe interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, mbi çështjet e sigurisë në shkolla, politikat kundër dhunës ndaj të miturve dhe masat kundër dhunës në shkolla.
Para interpelancës, seanca u përfshi nga debatet dhe akuzat e ndërsjella mes deputetëve të shumicës dhe opozitës për çështjen ndaj Ballukut, ku disa deputetë të Partisë Demokratike bllokuan edhe foltoren.
Balluku është marrë e pandehur për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike" dhe sipas opozitës, ajo duhet "t'i dorëzohet drejtësisë", pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit ndaj saj.
Për shkak të debateve seanca u ndërpre disa herë nga kryeparlamentari Niko Peleshi.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro, duke folur për sigurinë në shkolla dhe konfliktet mes të rinjve në platformat virtuale, tha se kjo sfidë në Shqipëri "do të duhet ta trajtojmë të gjithë bashkë, aktorë socialë, politikë, ekonomikë, mediatikë, nga familja deri tek shteti, si një kauzë për bashkim forcash dhe jo si sebepin e radhës për politikën e çastit".
"Për ne është një detyrim që me çdo kusht e përtej çdo sfide të kohës të ndjekim çdo ditë me konsekuencë edukimin e fëmijëve, të rrisim sigurinë në shkolla, të shoqërojmë adoleshencën e tyre, të intensifikojmë komunikimin për të parandaluar aktet e ekstreme. Në një kohë kur ndryshimet sociale, digjitale dhe kulturore po ndodhin me shpejtësi shumë të madhe përvojat ndërkombëtare na ndihmojnë të shkëmbejmë praktikat më të mira", tha ajo.
Kumbaro shtoi se është miratuar prej një viti plani kombëtar i veprimit për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune dhe bullizmi dhe për të garantuar sipas saj siguri në institucionet arsimore parauniversitare.
Interpelancat e ndara ishin thirrur nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe deputetja e Partisë e Lirisë, Erisa Xhixho, ndërkohë u zhvillua një interpelancë e vetme.
Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të shprehet me deklaratë sipas tij mbi aktakuzën në Hagë kundër komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
