Kuvendi i Shqipërisë diskuton për marrëveshjen me Italinë për bashkëpunim në disa fusha
Marrëveshja parashikon bashkëpunimin Shqipëri-Itali në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e emigracionit, arsimit, inovacionit, diasporën dhe transformimin ekonomik
Tiranë
Kuvendi i Shqipërisë ka diskutuar në seancën parlamentare të mbajtur të martën projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për bashkëpunim në disa fusha, raporton Anadolu.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes është në përputhje me objektivat strategjikë të qeverisë shqiptare për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, avancimin e integrimit evropian, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e digjital, si dhe përfshirjen aktive të diasporës në zhvillimin kombëtar.
Gjithashtu thuhet se në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët do të nxisin edhe subjektet e sektorit privat për të gjetur mundësitë e zbatimit të projekteve të ndryshme në fushat e bashkëpunimit ekonomik.
Në relacionin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë thuhet se marrëveshja synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e shërbimeve publike dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fusha si: kujdesi shëndetësor, mjedisi, energjia, siguria, industria e mbrojtjes, trajtimi i emigracionit të parregullt, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente.
"Projektligji synon krijimin e një partneriteti afatgjatë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës me një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e përvojës italiane në hartimin e zbatimin e politikave publike në fushat përkatëse. Marrëveshja hap mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, transferimin e teknologjisë dhe dijes, krijimin e infrastrukturave të përbashkëta kërkimore dhe rritjen e lëvizjes së qytetarëve, studentëve dhe profesionistëve, si dhe në mbështetjen e diasporës dhe integrimin e saj në zhvillimin ekonomik e social të vendit", thuhet në dokument.
Gjatë seancës u diskutua edhe për ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, ku sipas Ministrisë së Drejtësisë synojnë të demikrinalizojnë shpifjen për gazetarët dhe të forcojnë mbrojtjen ndaj familjes.
Pas përfundimit të diskutimeve në seancë, pritet miratimi i projektligjeve.
