Kuvendi i Shqipërisë miraton ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale
Pas përgatitjeve të drafteve përkatëse, Kuvendi do të miratojë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe pritet të krijojë një hartë të re të ndarjes administrative të vendit
Tiranë
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e komisioneve parlamentare për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, raporton Anadolu.
Në seancën e sotme parlamentare, u miratua projektvendimi "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore" dhe Projektvendimi "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë".
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Gjithashtu komisioni ka si objekt trajtimin e rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse dhe hartimin e një ligji për financimin e partive politike.
Nga ana tjetër, komisioni i posaçëm për reformën territoriale, sipas Kuvendit, ka për objekt të veprimtarisë së tij shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore, analizimin dhe propozimin e opsioneve për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore.
Gjithashtu komisioni ka si objekt analizimin e sistemit aktual të financave vendore dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, shqyrtimin e cilësisë dhe aksesit të shërbimeve publike vendore dhe sigurimin e përputhshmërisë së propozimeve me "acquis" të Bashkimit Evropian (BE) dhe politikat e kohezionit rajonal.
Pas përgatitjeve të drafteve përkatëse, Kuvendi do të miratojë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe pritet të krijojë një hartë të re të ndarjes administrative të vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
